“Ajo kurrë s’do të shkonte te ish-i, absurde” – Prindërit e Ilariës kërkojnë drejtësi për vrasjen misterioze, ja çfarë deklarojnë për mediat italiane
Vrasja e Ilari Sula, 22-vjeçares shqiptare që u masakrua me thikë dhe u hodh nga një shkëmb në një zonë pyjore në Itali, vijon të mbetet një ngjarje e mbushur me mister dhe pikëpyetje. Autori i dyshuar, ish-i dashuri filipinas Mark Samson, është në pranga, por familja e viktimës kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe hetimin e mundësisë së përfshirjes së personave të tjerë.
Prindërit e vajzës, Flamur dhe Gëzime Sula, si dhe vëllai i saj, Leon, janë të bindur se Ilaria nuk shkoi me dëshirë në banesën e Samsonit, ku dyshohet se u krye krimi makabër.
“Ajo nuk do të shkonte kurrë në shtëpinë e ish-it të saj. Nuk shkoi kur ishin bashkë e të lumtur, do shkonte tani që ishin ndarë? Është absurde”, deklaroi i ati i Ilariës për mediat italiane, ndërsa i mbushur me dhimbje, theksoi se vajza kishte ëndrra të mëdha dhe priste të diplomohej në tetor.
Ai komentoi edhe letrën e dërguar nga autori, ku ky i fundit kërkonte falje për krimin. “Të kërkojë falje? Jo tani. Ndoshta pas 30 apo 40 vjetësh. Ajo ishte një vajzë e mrekullueshme”, u shpreh babai i 22-vjeçares, duke shtuar se është i bindur që e vërteta do të dalë në shesh dhe drejtësia do të vihet në vend.