“Air Albania” fsheh falimentin me ndërhyrje institucionale? Si u “zhduk” borxhi 4.7 milionë euro
Institucionet shtetërore dyshohet se janë të përfshira në një përpjekje për të fshehur krizën financiare që ka përfshirë kompaninë ajrore “Air Albania” shpk. Të dhëna të shumta dhe dokumente zyrtare tregojnë se kompania ka një borxh të konfirmuar në vlerën 4.7 milion euro ndaj shoqërisë “I.B.N” shpk, borxh i cili është i dokumentuar përmes faturave fiskale dhe i certifikuar me vendim gjykate që nga tetori 2024.
Fshirje selektive nga sistemi shtetëror?
Kjo shumë e konsiderueshme, edhe pse e mbështetur në vendime të formës së prerë, rezulton të jetë zhdukur nga ekstrakti historik i “Air Albania” në QKB. Ajo që e bën situatën më shqetësuese është fakti që, sipas dokumenteve të publikuara, vendimi i Gjykatës së Apelit (13/05/2025), që miratonte sekuestron konservative mbi kuotat e kompanisë, është fshirë nga ekstrakti zyrtar. Në vend të tij është lënë ende aktiv një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili pezullonte përkohësisht veprimet përmbarimore.
Kjo ndërhyrje e dyshimtë, që nuk përputhet me hierarkinë e vendimeve gjyqësore, ka ngritur dyshime të forta për shpërdorim detyre apo përdorim të funksioneve publike për të favorizuar një palë në dëm të një vendimi të formës së prerë.
*Foto 1–3: Faturat dhe vendimi fillestar i gjykatës që konfirmojnë borxhin e 4.7 milionë eurove*
Gjyqtar që kundërshton veten, një javë, dy vendime
Në qendër të këtij skandali qëndron dhe fakti se një gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë, brenda pak ditësh, ka dhënë dy vendime të ndryshme për të njëjtën çështje. Vendimi i parë pranonte kërkesën për sekuestro konservative, ndërsa i dyti e rrëzonte atë. Për më tepër, vendimi i fundit nuk është zbardhur ende, ndonëse çështja ka kaluar tashmë në Apel dhe afatet ligjore janë tejkaluar. Kjo vonesë krijon një precedent të rrezikshëm dhe minon besimin në sistemin gjyqësor.
*Foto 4–9: Dokumente që tregojnë se si u zhduk vendimi i Apelit dhe u ruajt ai i Shkallës së Parë në QKB.*
Fshirja nga ekstrakti i detyrimeve ligjore
Më 19/05/2025, përmbaruesi “QEVA” shpk lëshoi një urdhër për sekuestron e kuotave të “Air Albania” në përputhje me vendimin e Gjykatës së Apelit. Ky urdhër u regjistrua në QKB më 23/05/2025, por vetëm tre ditë më pas – më 26/05/2025 – u fshi pa asnjë shpjegim zyrtar. Dokumentet tregojnë se në asnjë nga ekstraktet e 5 viteve të fundit, ky borxh nuk është deklaruar si detyrim financiar.
*Foto 10–12: Tregojnë ndryshimin në ekstraktin historik dhe urdhrin përmbarimor që u fshi.*
Rast i pazakontë: Piloti që paditi kompaninë, sot është administrator
Një fakt tjetër i çuditshëm ka të bëjë me shtetasin turk Sinan Isik, një ish-pilot i “Air Albania” me pagë mujore prej 5,500 euro. Ai fitoi një proces gjyqësor më 06/11/2023 kundër kompanisë për mosshlyerje page dhe, në një kthesë të beftë, është emëruar më pas administrator i shoqërisë. Kjo lëvizje ngre pikpyetje mbi mënyrën se si menaxhohet kompania dhe rregullsia e vendimeve të saj të brendshme.
• Si vazhdon të funksionojë një kompani me borxhe të prapambetura për më shumë se 4 vjet?
• Cili është roli i Albcontrol dhe Turkish Airlines, si ortakë të “Air Albania”, në këtë situatë kaotike ku nuk janë mbajtur mbledhje të asamblesë së përgjithshme, nuk ka pasqyrim të detyrimeve financiare dhe nuk ka shpërndarje të dividentit?
*Foto 13–17: Dokumente mbi vendimin për sekuestron dhe ekstraktin e përditësuar ku ai më pas mungon.*