Ai quhej Martin, ishte 14 vjeç, nuk e dinte që para institucionit të dijes e priste vdekja…

Ai ishte 14 vjeç! Quhej Martin! Ishte nxënës në shkollën “Fan Noli” në Tiranë. Prindërit i kishin zgjedhur këtë shkollë, si e radhitur ndër më të mirat në kryeqytet.

Martini kishte pasion futbollin. Si pasionant ishte radhitur në ekipin e Dinamo U 15. Me shpresën se në të ardhmen do të ishte një yll futbolli!

Por Martini nuk e dinte se për fat të keq, lindi e u rrit në një ambient të pasigurtë, ku jeta nuk kushton asnjë grosh. Ku arsimi është në grahmat e fundit. Ku tejmbushja me mësues, punonjës socialë, oficerë sigurie, psikologë, e sa e sa vend-punësimi të tjera, nuk janë asgjë më shumë sesa një fasadë, për të mbuluar realitetin e hidhur.
Martini nuk e dinte sot, se jashtë institucionit të dijes, në atë ku konsiderohet perimetër sigurie, e priste vdekja. As autorin, bashkëmoshatar i tij, askush nuk e kishte pikasur se mbante një thikë.

Askush nuk pa asgjë në rrjete sociale. Asnjë prind nuk jua kontrolloi telefonat, se me gjasë është shkelje e privatësisë, ose në rastin më të keq, fëmijët sjua lejojnë. Askush nuk e pa shqetësimin në fytyrat e fëmijëve. Asnjë psikolog se kuptoi. Asnjë shok, asnjë shoqe!

Të gjithë kishin sytë të mbyllur sot, dhe u zgjuan pasi na ra ky kob. Instancat nisën të mbulojnë diellin me shoshë, siç kanë bërë edhe shumë herë të tjera. Më kujtohet këtu një drejtor në QSUT kur sa herë mungon vaksina për fëmijët me artrit reumatoid më thotë, pasi unë i kërkoj llogari: Ti nuk e ke idenë sa më dhimbsen ata fëmijë. Dhe përgjigja ime është: “Juve as që ju shkon ndërmend fare. Sepse po të kishit shpirt e dhimbsuri nuk do ishim në këtë batak.

Ja pra, kjo përgjigje vlen për të gjithë ju drejtues institucionesh që shprehët keqardhjen tuaj sot. E sidomos për reagimin e Ministrisë së Arsimit!