Ahmed al-Sharaa mori detyrën si president i përkohshëm i Sirisë pas rrëzimit të Bashar al-Assad, premton zgjedhje të lira brenda katër vitesh
Pas rrëzimit të Bashar al-Assad gati dy muaj më parë, Ahmed al-Sharaa ka marrë zyrtarisht detyrën si president i përkohshëm i Sirisë. Në një deklaratë për mediat, ai u zotua për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda katër viteve.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, al-Sharaa konfirmoi mbajtjen e një konference të dialogut kombëtar, e cila do të shërbejë si një platformë për të dëgjuar të gjitha pikëpamjet mbi të ardhmen politike të vendit. Ai njoftoi krijimin e një komisioni që do të përgatisë këtë konferencë, si hap i parë drejt hartimit të një Kushtetute të re.
Pasi Kushtetuta të jetë përfunduar, vendi do të shkojë në zgjedhje, një proces që pritet të zgjasë deri në katër vite. Për të mbushur vakumin parlamentar, pas shpërbërjes së parlamentit sirian të mërkurën, al-Sharaa tha se do të krijojë një organ të përkohshëm legjislativ.
Presidenti i përkohshëm u shpreh se synon të ruajë paqen dhe unitetin territorial të vendit, ndërsa premtoi ndjekjen penale të të gjithë atyre që kanë kryer krime dhe masakra gjatë konfliktit sirian, qoftë brenda apo jashtë vendit.
“Drejtësia e vërtetë do të vihet në vend në këtë periudhë tranzicioni,” deklaroi ai.