Agron Malaj kandidon për deputet, Këshilli Bashkiak i Matit komandon kryebashkiakun e ri

Këshilli Bashkiak i Matit ka miratuar unanimisht dorëheqjen e kryebashkiakut Agron Malaj, i cili do të kandidojë për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në Qarkun Dibër për zgjedhjet e 11 majit.

Në mbledhjen e sotme, ku ishin të pranishëm 19 nga 21 anëtarë të këshillit, u votua edhe për kryetarin e komanduar të bashkisë. Myslym Zeneli u zgjodh me 17 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Flutura Biba, mori një votë dhe një tjetër u shpall e pavlefshme.

Kryebashkiaku i komanduar, Myslym Zeneli, u shpreh i angazhuar për të vijuar shërbimet dhe investimet për qytetarët e Matit.

Ndërkohë, emrat e kandidatëve të Partisë Socialiste për Qarkun Dibër pritet të bëhen publikë pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, e cila do të mbahet sot në orën 19:00.