Agresioni rus/ Qeveria shqiptare zgjat me një vit lejen e qëndrimit për qytetarët ukrainas në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjasë me një vit afatin e qëndrimit për qytetarët ukrainas që ndodhen në Shqipëri, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Ministrave, duke ndryshuar zyrtarisht vendimin e datës 18 mars 2022, që parashikonte një leje qëndrimi prej tre vjetësh.

Me ndryshimin e miratuar, leja e qëndrimit për shtetasit ukrainas në territorin e Republikës së Shqipërisë është bërë katër vjet. Vendimi i ri i detyron Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që të marrin masa për zbatimin e tij.

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1-Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 3 (tre) vjet …” zëvendësohet me “… 4 (katër) vjet …”.

2-Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU