Agresioni rus, Blinken: NATO e qartë dhe e palëkundur në mbështetje të Ukrainës
Ministrat e Jashtëm të NATO-s i dhanë sot fund një takimi dy ditor në Bruksel ku u diskutua për mbështetjen për Ukrainën, sfidat më të ngutshme lidhur me sigurinë, si konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe përgatitja për takimin e nivelit të lartë të aleancës në Uashington, me rastin e 75 vjetorit të NATO-s, vitin e ardhshëm. Sekretari amerikan i Shtetit Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg thanë se aleanca do të vazhdojë të mbështesë Kievin përballë agresionit rus.
Në një konferencë shtypi në kryeqytetin belg, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se aleanca ushtarake është më e bashkuar se kurrë më parë.