Agjencia Evropiane e Hapësirës nis gjurmimin e asteroidit: Ja sa shanse ka të godasë Tokën në vitin 2032

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka nisur monitorimin e asteroidit 2024 YR4, i cili ka një probabilitet 1.2% për të goditur Tokën më 22 dhjetor 2032. Ky trup qiellor, me gjatësi të vlerësuar midis 40 dhe 100 metrash, u zbulua dhjetorin e kaluar nga një teleskop në Kili, i specializuar për identifikimin e rreziqeve nga hapësira.

Sipas ESA-s dhe NASA-s, të cilat kanë përllogaritje të ngjashme, asteroidi është klasifikuar si Niveli 3 në shkallën e Torinos, që mat rrezikun e përplasjeve kozmike. Kjo shkallë varion nga 0 (pa rrezik) deri në 10 (fatkeqësi globale).

“Një asteroid i kësaj madhësie godet Tokën mesatarisht çdo disa mijëra vjet dhe mund të shkaktojë dëme të rënda në një zonë të caktuar,” njofton ESA. Megjithatë, agjencia thekson se me vëzhgime të mëtejshme, probabiliteti i ndikimit zakonisht bie ndjeshëm. Në fakt, shkencëtarët e konsiderojnë shumë të mundshme që në javët e ardhshme ky asteroid të riklasifikohet si pa rrezik.

Monitorimi i tij do të vijojë intensivisht për të përmirësuar parashikimet mbi orbitën dhe për të vlerësuar nëse nevojiten masa mbrojtëse në të ardhmen.