Agjencia europiane për klimën: 2024 mund të jetë viti më i nxehtë në histori

Për të dytin vit me radhë, Toka do të jetë me siguri më e nxehtë se ç’ka qenë më parë. Për herë të parë, globi do të bëhet këtë vit mbi 1.5 gradë Celcius më i nxehtë, krahasuar me mesataren e epokës paraindustriale, njoftoi të enjten agjencia evropiane e klimës “Copernicus”.

Ndër faktorët radhitet fenomeni El Nino – ngrohja e përkohshme e pjesëve të Paqësorit që ndikon tek ndryshimi i motit në mbarë botën, si dhe shpërthimet vullkanike që çlirojnë avuj në atmosferë, apo variacionet e energjisë nga dielli.
Lajmi për mundësinë e një viti të dytë me nxehtësi rekord erdhi ndërsa u rizgjodh president në Shtetet e Bashkuara kandidati republikan Donald Trump, i cili e ka quajtur “një mashtrim” ndryshimin klimatik dhe ka premtuar rritjen e prodhimit të naftës. Njoftimi u bë gjithashtu pak ditë përpara mbajtjes në Azerbajxhan të konferencës së radhës së OKB-së për klimën, COP29. Bisedimet pritet të përqëndrohen tek ngritja e fondeve prej triliona dollarësh për të ndihmuar tranzicionin në mbarë botën drejt energjisë së pastër, si atë diellore dhe nga era, për të shmangur ngrohjen e mëtejshme të planetit.

Të enjten u publikua gjithashtu një raport i Programit të OKB-së për Mjedisin, që bën thirrje për fonde për t’iu përshtatur nxehjes globale dhe pasojave të saj. Raporti thotë se gjatë vitit 2022 janë shpenzuar në mbarë botën 28 miliardë dollarë, shifra më e lartë historikisht, për t’iu përshtatur ndryshimit klimatik. Sidoqoftë, kjo shumë është ende shumë larg shumës së vlerësuar prej 187 deri në 359 miliardë dollarë në vit që nevojiten për t’u përballur me nxehtësinë, përmbytjet, thatësirat dhe furtunat e përkeqësuara për shkak të ndryshimit klimatik.

Check Also

‘Histori të ngjashme”/ Eneda flet për njohjen me Gentin, zbulon takimin e parë

Këngëtarja Eneda Tarifa ka folur mbi marrëdhënien e saj me partnerin, Gent Laskun. Teksa ishte …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *