Agjencia e BE: Shqiptarët kanë konsumin më të lartë të kokainës në Europë, e marrin edhe në zyrë! Kanabisin e pinë në natyrë

Përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që kanë konsumuar kokainë, përkundrejt 21% që është mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe 29% e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian EUDA (shiko grafikun Përdorimi i drogave në 12 muajt e fundit sipas substancave).

Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18 vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë saj. Në total, morën pjesë mbi 66 000 persona nga 31 vende.

Në Ballkanin Perëndimor u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18 vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e përgjigjeve nga individët shqiptarë për Shqipërinë u vunë në dispozicion nga EUDA dhe u përpunuan nga Monitor.

 

 

 

 

 

 

Shqipëri, kanabisi dhe kokaina drogat më të përdorura

Kanabisi mbetet droga që konsumohet më shumë nga individët shqiptarë, me 56% të të anketuarve që kanë deklaruar që e përdorin atë. Përdorimi i kësaj substance është shumë pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (59%) dhe më i lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).

Shqipëria është e vetmja ku kokaina është substanca e dytë më e konsumuar pas kanabisit. 41% e përdoruesve të drogave thanë se kishin konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit. kjo përqindje është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndomor dhe shumë mbi nivelin e BE-së prej 29%.

Në Ballkanin Perëndimor, substanca e dytë më e konsumuar është Benzodiazepines (pa recetë), me 22% të përdoruesve, kundrejt 5% në Shqipëri.