Afera ‘Partizani’/ Mbrojtja e Berishës braktis gjyqin, GJKKO i vendos avokat shtetëror! Vendimi shtyhet për sot
Pasi dy përfaqësuesit ligjorë braktisën seancën për aferën e Partizanit, GJKKO i caktoi Sali Berishës si avokat për të vijuar procedurën Artan Simonin. Ndërkohë që ai njihej me aktet, u sulmua nga djali i Berishës dhe mbështetës të tij. Kësisoj prokuroria kërkoi sërish ndërrimin e avokatit duke e shtyrë seancën për ditën e sotme.
Kanë dështuar prej dy ditësh seancat gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha i cili është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Këtë të martë ngërçet e krijuara prej largimeve të avokatëve, që nisën me braktisjen me dëshirë të gjyqit nga përfaqësuesit ligjorë të Berishës dhe vijuan me “shkarkimin” e avokatit të përcaktuar nga shteti, kanë bërë që vendimi për ish-kryeministrin të shtyhet për ditën e sotme (26 tetor) në orën 10:00.
Rreth orës 16:00, pra 1 orë e 30 minuta pasi kishte nisur gjyqi përfaqësuesit ligjorë të Berishës Sokol Mëngjesi dhe avokat Genc Gjokutaj braktisën seancën me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin.
Në një reagim për shtyp Gjykata konfirmoi rrëzimin e kërkesës së dy avokatëve, për ta dërguar çështjen në Kushtetuese, ndërkohë njofton se nga ana e Gjokutajt dhe Mëngjesit u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.
Me largimin e dy avokatëve Gjokutaj dhe Mëngjesi, GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni të paguar nga shteti në mbrojtje të interesave të Berishës. Ndërkohë që ai njihej me dosjen, Shkëlzen Berisha reagoi për herë të parë pas akuzave të ngritura nga SPAK për babain e tij, por teksti i shkruar prej tij përmbante një sulm ndaj avokatit. Shkëlzen Berisha, publikoi një status në rrjete sociale avokatit Simoni, i cili dy ditë më parë, fliste për “një bishë të plagosur, që diku paska gabuar”, që sipas tij i referohet babait të tij.
Në këto kushte me kërkesë të Prokurorisë, Gjjykata ka vendosur largimin e Simonit, si avokat mbrojtës të ish-kryeministrit duke e zëvendësuar me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë që të njihet me aktet, duke e shtyrë vendimin për sot (26 Tetor).
Vetë ish-kryeministri Berisha edhe refuzoi që të shkojë në GJKKO, madje pak para seancës sulmoi prokurorët e SPAK dhe mobilizoi partinë për ta mbështetur atë dhe dhëndrin e tij. Sipas tij prokurorët e gjyqtarët që kanë në duar çështjen Partizani, duke thënë se janë të lidhur me George Soros dhe me pushtetin kriminal të Edi Ramës. Ndërkohë që seanca për masën për dosjen e ish klubit Partizani, mbahej pa praninë e tij, ai mblodhi kryesinë dhe e mobilizoi për një aksion që nuk përjashton edhe skenarin e protestave, pasi sipas tij SPAK nuk ka goditur atë personalisht, por programin politik të opozitës.
“Nëse një familjar i imi ka përfituar 1 metër katror në kundërshtim me ligjin atëherë janë përgjegjës. Të thuash se ku i mori paratë që hyri me 113 metër tokë dhe doli me 5 mln siç bëjnë organet e Soros dhe skapistët e Edi Ramës, do të thotë të mashtrosh në mënyrën më groteske”, tha Berisha.
Akuzat
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ . Dy ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.