Afera, lobime, akuza dhe kërcënime! Pse çifti Meta-Kryemadhi shpërtheu tani ndaj SPAK

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi prej disa ditësh kanë përdorur një gjuhë të ashpër ndaj SPAK, madje kreu i Partisë së Lirisë shkoi deri në kërcënime ndaj kreut të këtij institucioni, Altin Dumani.

Në një deklaratë për mediat Meta tha se Dumanin “nuk e shpëton dot as Zoti e as Amerika”, teksa përdori edhe fjalë fyese ndaj tij.

“Ti je aty për të firmosur jo për të bërë zëdhënësin e partive politike. Do sjellësh ti demokracinë në Shqipëri? Injorant!
Të kanë thënë ty amerikanët të më fusësh mua në burg? Nuk nxorrët mend ju palaço?
Mua ka dashur legjendari të më fusë në burg në 1992, më ka lënë një vit pa imunitet. O palaço, o Dum Duman!
Thirri mendjes, reflekto, thellohu. Nuk të mbron dot as KLP as Zoti nëse shkel Kushtetutën. Ky nuk është kërcënim, kjo është një këshillë, ndihmë që po të jepet, injorant”, tha Meta.

Ndërkohë, Kryemadhi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PL, pati një mesazh tjetër për Prokurorinë e Posaçme.

“Meqenëse kam dëgjuar shpesh që nga drejtues apo rrethi i ngushtë i administrimit të godinës, shumë prej jush thërriten dhe ju thuhet distancohuni nga Monika Kryemadhi se ajo do shkojë në burg dhe do ketë problemet e veta, nuk më rruhet fare as për burgun dhe as për SPAK-un.
Sa kam parë kumbulla e fara luledielli të tillë në jetën time në 30 vjet. Si puna e këtyre do hyjnë dhe do dalin sa të duash. Por një ta keni të qartë, halli im nuk është halli juaj, halli juaj është halli im”, tha Kryemadhi.

Por cila është arsyeja e këtij sulmi të Metës dhe bashkëshortes së tij ndaj SPAK? A e kanë kuptuar të dy se shumë shpejt mund t’i pres burgu dhe po mundohen t’i shmangen duke bërë sulme publike?

SPAK prej disa kohësh po kryen hetime pas një kallëzimi të marrë nga avokat Idajet Beqiri, për shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi për disa ndërhyrje estetike jashtë vendit, pagesat e të cilave nuk janë deklaruar. Prokuroria e Posaçme po ashtu po heton rolin e ish presidentit Ilir Meta, bashkëshortin e Monika Kryemadhit, për aferën CEZ-DIA si dhe për kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, telefoni i Kryemadhit është vendosur nën sekuestro, pasi SPAK ka nisur hetime pas disa kallëzimeve ndaj saj dhe personave të lidhur me të, përfshirë kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Telefoni është gjetur në banesën e nënës së Monika Kryemadhit.

Ankimimet e saj për heqjen e sekuestros së telefonit janë hedhur poshtë nga gjykata vazhdimisht.

Ndërkohë Meta, duket se e ndjen rrezikun nga afera e CEZ-DIA. Gjatë një deklarate për mediat, ai tha se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka takuar në burg Kastriot Ismailajn dhe i ka bërë presion të flasë për të.

Po çfarë është afera CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Implikimi i Metës në aferën CEZ-DIA

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara. Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve. Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.
çiti Meta-Kryemadhi janë paraqitur disa herë në SPAK, i pari për aferën CEZ-DIA, ndërsa e dyta për lobimin në SHBA.

Këto të ditëve të fundit, nuk ishin as të parat e as të vetmet sulme të Metës ndaj SPAK, me të cilin ish-presidenti e ka kthyer tashmë në një histori personale

“Të jeni të sigurt se nuk ka asnjë forcë që mundet të zhbëjë PL si një parti të të vërteta të mëdha dhe njëkohësisht nuk ka asnjë zar të Arben Rakipit që për të legjitimuar kapjen e reformës në drejtësi nga Rama përmes shkatërrimit të proceseve kushtetuese, që nga zgjedhja e prokurorëve të përgjithshëm, betimet e anëtarëve të GJK tek lana, e gjithë ato bëma të tjera, të godasë Ilir Metën që mbrojti reformën në drejtësi. Mbrojtje që u konfirmua edhe nga vetë komisioni i Venecias. Lidhur me përpjekjet e Ramës për ta kthyer SPAK në një komisariat policor anti-opozitë për të shkatërruar pluralizmin politik nuk jam i surprizuar. Asnjëherë s’kam dashur të identifikoj këtë institucion me individë të caktuar që nuk flirtojnë me politikën, por janë prodhim i saj dhe para se të bënin betime me dorën në Kushtetutë kanë bërë betime të tjera që koha po i provon më së miri”, ishte shprehur Meta në janar të këtij viti.

Megjithatë, pavarësisht se të dy kanë kryer denoncime në SPAK, sidomos Kryemadhi në lidhje me aferën e inceneratorëve, duke treguar në njëfarë mënyre se i besojnë këtij institucioni, “shpërthimi” më i fundit ndaj Prokurorisë së Posaçme ishte më i forti deri tani.

A i frikësohen Meta dhe Kryemadhi burgut? A kanë informacione se një dënim i mundshëm i pret dhe kanë zgjedhur të sulmojnë SPAK-un për t’i shpëtuar.

Dhe mbi të gjitha a do e “shesin” njëri-tjetrin Meta dhe Kryemadhi kur vjen puna te përballja me drejtësinë.

Edhe pse Kryemadhi ka deklaruar se Meta e ka sulmuar si politikane dhe jo si bashkëshorte, situata në Partinë e Lirisë nuk duket më e mira, teksa flitet për tradhtarë dhe nepotizëm.

Kush do të jetë “i sakrifikuari” i madh, mbetet për t’u parë.