Afera e tenderëve në Kurbin, GJKKO dënon 3 nga 4 ish-zyrtarët e bashkisë, një shpallet e pafajshme
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin përfundimtar për 4 ish-zyrtarët e bashkisë së Kurbinit të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publikë dhe falsifikim dokumentesh.
Tre prej të pandehurve janë shpallur fajtorë, ndërsa një është shpallur e pafajshme.
Vendimet e gjykatës:
Jeton Cakoni u shpall fajtor për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënimi iu pezullua, duke u vendosur në provë për një periudhë 16-mujore. Po ashtu, ai u përjashtua nga ushtrimi i funksioneve publike për 5 vjet.
Vlash Gega, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, u dënua gjithashtu me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj dhe me të njëjtat masa alternative: pezullim i dënimit, provë 16-mujore dhe ndalim për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Donika Senka u shpall fajtore për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në më shumë se një rast. Ajo u dënua me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, me pezullim të dënimit dhe vendosje në provë për 16 muaj.
Ndërsa, Irisi Tahiraj u shpall e pafajshme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, pasi gjykata vlerësoi se nuk kishte prova që të vërtetonin përfshirjen e saj në veprimtarinë penale.