Administronin faqe me foto dhe video intime të vajzave të mitura, gjykata e Korçës jep vendimin për dy të rejat

Gjykata e Korçës ka dhënë vendimin për dy vajzat e arrestuara tre ditë më parë me akuzën e pornografisë me të mitur. Dy vajzat, 19-vjeçarja P.M dhe 17-vjeçarja E.P, dyshohen se përmes një faqeje në Instagram kanë publikuar mesazhe shantazhuese, si dhe foto e video me përmbajtje intime.

Prokuroria kishte kërkuar për të dyja masën e arrestit shtëpiak deri në përfundim të hetimeve. Megjithatë, gjykata vendosi masa më të lehta: detyrim paraqitjeje për 19-vjeçaren P.M dhe mbikëqyrje nga prindërit për të miturën E.P.

Seanca gjyqësore zgjati rreth dy orë e gjysmë. Avokatët mbrojtës kërkuan masa sigurie më të lehta se ato të propozuara nga prokuroria, kërkesë e cila u pranua nga gjykata. Hetimet do të vazhdojnë për të provuar përgjegjësinë e vajzave dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.