Abuzimi me tenderin 2.2 milionë euro, GJKKO merr vendimin për Jonaid Myzyrit, kreut të pezulluar të KPP
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal ndaj Jonaid Myzyrit, kreut të pezulluar të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), i cili ndodhet nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Vendimi është marrë më 4 korrik 2025 nga gjyqtarja Etleva Deda, pas kërkesës së paraqitur më 2 korrik nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit. Myzyri do të qëndrojë i pezulluar nga detyra dhe ka detyrimin të paraqitet çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00, pranë policisë gjyqësore.
Ai akuzohet për përfshirje në manipulimin e procedurave të prokurimit publik, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, duke favorizuar një bashkim operatorësh me dokumente të falsifikuara. Në këtë procedurë, sipas SPAK, është cenuar rëndë parimi i konkurrencës së lirë dhe i barazisë së pjesëmarrësve në tenderë.
Objekt i hetimit ka qenë një tender me vlerë 2.2 milionë euro, i zhvilluar më 18 shtator 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për mirëmbajtjen rutinë me performancë të aksit rrugor: Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit. Fondi limit i tenderit ishte 219.8 milionë lekë (pa TVSH).
Jonaid Myzyri u mor i pandehur javën e kaluar, ndërsa hetimet për këtë çështje përfshijnë edhe shtatë zyrtarë të tjerë të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë skemë favorizimi dhe abuzimi me dokumentacionin zyrtar.