“Abuzim skandaloz!”, Çmimet e larta të fruta-perimeve/ Braçe: Propozoj zhbërjen e Tregut Agroushqimor

Në lidhje me çmimet e larta të fruta perimeve në Tiranë ka reaguar ashpër deputeti Erion Braçe.

Në një postim në rrjete sociale, teksa vë në dukje çmimet e larta, ai thotë se këto fruta dhe perime janë të stinës, që normalisht duhet të kishin çmime të drejta, ndërsa kërkon ndërhyrje emergjente kundër këtyre abuzimeve.

 

Braçe bën gjithashtu edhe disa propozime, duke nisur nga shbërja e Tregut Agroushqimor në Tiranë, që zotërohet nga kompania e sipërmarrësit Klodian Allajbeu, që sipas të cilit abuzimi me tarifat ka rritur kostot e produkteve.

Ndërsa thekson se duhet të ketë tregje publike për bujqit dhe jo tregtarët, të cilët do të mund të shesin prodhimin e tyre pa kostot e ndërmjetësuesve që abuzojnë.

Gjithashtu kërkon barazimin e TVSH-së së brendshme pasi me skemën aktuale produktet bëhen më të shtrenjt deri 20%.

Së katërti, Braçe thotë se duhet të ketë kontrolle të qirave të ambineteve tregtare.

“Shpërbërjen e Tregut të Autostradës. Abuzimi me tarifa atje është skandaloz dhe rrit koston e çdo produkti; Hapjen e tregjeve publike për bujqit – jo tregtarët; Të shesin bujqit prodhimin e tyre pa kostot e ndërmjetësve abuzivë; Barazimin e TVSH-së së brendshme; në skemën aktuale produktet bëhen deri 20% më të shtrenjta kot; fiskalizim nga bujku te blerësi i fundit si për çdo produkt”, shkruan deputeti.

Vëmendje të shtuar deputeti kërkon edhe te ndryshimet klimatike, të cilat kanë goditur prodhimet bujqësore.

“Ne nuk po merremi me ndryshimin e klimës dhe përshtatjen dhe mbrojtjen e prodhimit me këto ndryshime. Duket bezdi e madhe të flasësh, madje ta kthejnë – janë punët e Zotit, dhe bezdia paguhet me çmimet e shtrenjta, të padrejta në treg”, ka shkruar deputeti.