A mund të marrë Sali Berisha vizë për në SHBA? Avokati shqiptaro-amerikan shpjegon procedurën

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor dhe pengim të drejtësisë, mund të përfitojë një leje të posaçme për të vizituar SHBA-në.

Lidhur me këtë çështje, avokati shqiptaro-amerikan Peter Lumaj deklaroi në emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa se ekziston një mundësi që Berisha të marrë leje hyrjeje në SHBA, pavarësisht statusit të tij aktual.

Sipas Lumaj, Departamenti Amerikan i Shtetit ka autoritetin për të lejuar hyrjen e një personi të shpallur “non-grata”, nëse vlerësohet se ai nuk përbën rrezik për vendin.

“Është e mundur, dhe mund të ndodhë. Departamenti i Shtetit mund t’i japë dikujt leje për të vizituar SHBA-në nëse nuk konsiderohet kërcënim,” – u shpreh Lumaj.

Ai shtoi se çdo vendim i tillë do të varet nga rrethanat dhe konteksti politik, sidomos duke pasur parasysh që SHBA po i afrohet zgjedhjeve presidenciale.

Lumaj komentoi gjithashtu ndikimin e figurave të fuqishme të lidhura me administratën e ish-presidentit Donald Trump. Ai përmendi Chris LaCivita, një këshilltar i rëndësishëm i fushatës së Trump-it, si një person që mund të ketë ndikim në çështje të tilla.

“LaCivita mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në vendime të tilla, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përfshirje direkte,” – shtoi ai.

Sipas avokatit Lumaj, një nga pyetjet kryesore që duhet marrë parasysh është: “Cili është shqetësimi që SHBA mund të ketë nga Berisha?” Ai sugjeron se Departamenti i Shtetit mund të lejojë hyrjen e tij për të diskutuar çështje me komunitetin shqiptar në SHBA, për aq kohë sa nuk ekziston ndonjë kërcënim i mundshëm.

Pavarësisht këtyre mundësive ligjore, çështja mbetet e ndërlikuar për shkak të statusit të Berishës dhe procedurave të rrepta të Departamentit të Shtetit në raste të tilla.