Gazetarja e kronikës, Aida Topalli, ka analizuar retorikën e përdorur nga kryeministri Rama në lidhje me zhvillimin e hetimeve që po bën SPAK.
Ajo e ka cilësuar si tepër të kujdesshëm, për të mbajtur gjallë elektoralin.
Ndërsa për arrestimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj është shumë e vështirë që masa e sigurisë arrest me burg të ndryshohet. Sipas Topallit, presionet nuk e trembin aspak kreun e SPAK, Altin Dumanin.
“Pak kohë më parë, kreu i SPAK, Altin Dumani, i pyetur nëse friksohet apo është intimiduar nga akuzat, në atë kohë ishte Berisha që e akuzonte më shumë, dha një përgjigje shumë të qartë ku tha se këto janë thjesht politike dhe nuk e pengojnë aspak punën e SPAK për të hetuar ata që janë përfshirë në skema korrupsioni apo skena krimi. Rama para punonjësve të Bashkisë Tiranë nuk e pashë të veçuar ndaj kritikave për Prokurorinë e Posaçme sepse e përmendi disa herë dhe tha se janë vendosur pranga pa gjyq, pa u hetuar mirë dhe për këtë nuk duhej arrestuar Veliaj. Por nga ana tjetër tha edhe një fjali për kundërpeshë që askush nuk është i paprekshëm. Mbetet i paqartë kryeministri ndaj qëndrimit për Prokurorinë e Posaçme, ndoshta kjo edhe për të mbajtur të ndezur të gjithë elektoratin, mbështetës të Veliajt apo edhe atij socialist. Është i sikletosur për humbjen që i ka ndodhur. E shoh disi të pamundur lirimin e Veliajt nga burgu për sa kohë nuk ndryshoi masa as në seancën e njohjes”, tha Topalli në emisionin “360 gradë të Artur Zheji”.