A janë në përgjim gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese? Holta Zaçaj kërkon informacion nga SPAK
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka mohuar të ketë ndonjë informacion lidhur me pretendimet për përgjim të gjyqtarëve të këtij institucioni. Në një konferencë për mediat, gjatë prezantimit të raportit vjetor, Zaçaj bëri të ditur se i është drejtuar me një kërkesë zyrtare për informacion kreut të SPAK, Altin Dumani, për të mësuar nëse ekziston ndonjë kallëzim apo hetim ndaj gjyqtarëve.
“Në lidhje me pyetjen tuaj, Gjykata nuk ka asnjë informacion për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua mbi këto lajme, trupa vendosi t’i drejtohej zotit Altin Dumani me një kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari”, deklaroi Zaçaj.
Kërkesa zyrtare është dërguar më 19 shkurt, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga SPAK. Zaçaj theksoi se nuk është informuar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim ndikimi të papërshtatshëm ndaj gjyqtarëve nga avokatë, funksionarë politikë, publikë apo subjekte të tjera, duke iu referuar nenit 10, pika 3 të ligjit organik.
Ajo gjithashtu nënvizoi se Gjykata Kushtetuese mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese, por vetëm në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji.