“A është Putin kriminel lufte?” Pyetja ndaj Rubios në Kongres ndez tensione/ Sekretari i Shtetit shmang përgjigjen

Një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan është tensionuar pas një pyetjeje të drejtpërdrejtë drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, i cili shmangu ta cilësonte presidentin rus Vladimir Putin si “kriminel lufte”, duke nënvizuar se përparësia e tij është mbyllja e konfliktit në Ukrainë.

Deputeti demokrat Bill Keating i kujtoi Rubios deklaratat e tij të mëparshme, kur si senator ai kishte sulmuar ashpër Putinin dhe e kishte quajtur kriminel lufte. Keating kërkoi që Rubio të pohonte nëse ende mbante të njëjtin qëndrim.

“Krime janë kryer gjatë luftës kundër Ukrainës dhe dikush duhet të japë llogari, por qëllimi ynë aktual është të përfundojmë këtë luftë,” u shpreh Rubio, duke shmangur përsëri ta etiketonte Putinin si të tillë.

Ai shtoi më tej: “Sepse, le të jem i qartë, çdo ditë që kjo luftë vazhdon, njerëzit vriten, të tjerë zhduken dhe, sinqerisht, kryhen edhe krime të tjera lufte.”

Deputeti demokrat reagoi me kritika të forta, duke e akuzuar Rubion se po fliste “pa kuptim” dhe në mënyrë “dyshuese”.

Në një moment tjetër të seancës, Rubio e justifikoi nevojën për dialog diplomatik, duke risjellë shembullin historik të komunikimit SHBA-Rusi në kulmin e krizës së raketave të Kubës në vitin 1961: “Po të mos kishte pasur atëherë komunikim, bota mund të kishte përfunduar ndryshe.”

Në të njëjtën kohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun ukrainas Volodymyr Zelensky. Kjo përpjekje vjen si pjesë e një nisme të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës, por deri tani pa rezultate konkrete.

Kur u pyet se kush është agresori në këtë konflikt, Rubio pranoi: “Rusia ka pushtuar Ukrainën.” Megjithatë, presidenti Trump, deri tani ka shmangur ta quajë publikisht Rusinë si “agresore”.