A do të dalë tym i bardhë? Kardinalët fillojnë sot në Vatikan ritualin shekullor për të zgjedhur Papën e ri

Mbi 130 kardinalë nga 70 vende të ndryshme nisin sot në Vatikan ritualin e fshehtë dhe shekullor për zgjedhjen e Papës së ri, duke hapur kështu konklavën më të larmishme gjeografikisht në historinë 2000-vjeçare të Kishës Katolike.

Pas dorëzimit të celularëve dhe izolimit nga bota e jashtme, këta “princa të kishës” do të përpiqen të zgjedhin një pasardhës të Papa Françeskut, i cili emëroi 108 nga 133 kardinalët votues, duke përfshirë për herë të parë përfaqësues nga vende si Mongolia, Suedia dhe Tonga, që më parë nuk kishin pasur kurrë kardinalë.

Vendimi i Françeskut për të kaluar kufirin e zakonshëm të 120 elektorëve dhe për të zgjedhur shumë pastorë nga “jugu global” – vende shpesh të margjinalizuara dhe me ndikim më të ulët ekonomik – ka krijuar një nivel të pazakontë pasigurie në këtë proces, i cili gjithmonë është i mbështjellë me mister dhe pezull.

Shumë nga kardinalët votues nuk janë takuar kurrë më parë dhe disa kanë shprehur shqetësimin se u nevojitet më shumë kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin, gjë që mund të zgjasë kohën e nevojshme për të arritur shumicën e dy të tretave, ose 89 fletë votimi, të domosdoshme për zgjedhjen e Papës së 267-të.

Tymi i bardhë në Vatikan është një simbol i zgjedhjes së një Pape të ri. Gjatë konklavës, kardinalët votojnë në Kapelën Sistine dhe pas çdo raundi votimi, fletët e votimit digjen në një sobë speciale.

Nëse nuk është arritur shumica e dy të tretave, fletët digjen me një përzierje që prodhon tym të zi, duke treguar se nuk është zgjedhur ende një Papë. Kur arrihet zgjedhja, fletët digjen me një përzierje që prodhon tym të bardhë, duke sinjalizuar se është zgjedhur Papa i ri dhe se ai pritet të prezantohet para besimtarëve.