Nga premtimet elektorale te hyrja e Shqipërisë në BE, kryeministri Rama në New York: Kundërshtarët e reformës në drejtësi sot ulërasin nga dhimbjet! 

Kryeministri Rama rinisi sot turin “Krenar për Shqipërinë” me një takim me shqiptarët e SHBA.

Diasporës i kërkoi votën për PS si e vetmja parti shtetëformuese që ndërmori reforma të thella të cilat e vunë Shqipërinë në shinat e integrimit drejt BE-së aty ku synon ta çojë brenda 2030.

Një nga reformat kryesore është ajo e drejtësisë, edhe pse me kosto politike edhe nga radhët e veta.

Fjalimi i plotë:

Të dashur shqiptarë të Amerikës, Motra dhe vëllezër,

Kjo është një ditë shumë e posaçme për mua, që të ndodhem këtu me ju, jo thjesht si bashkatdhetarë matanë oqeanit, as thjesht si qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri, po tanimë edhe si votues, me mundësinë për herë të parë të pjesëmarrjes në zgjedhje nga këtu në Amerikë.

Më është dashur të përpiqem gjatë për hir të së vërtetës së bashku me kolegët e partisë time dhe të ndihem i sekëlldisur më shumë se sa një herë në këto vite, kur kanë ardhur zgjedhjet, por jo mundësia juaj për të zgjedhur nga këtu në Shqipëri.

Tanimë edhe ky është një premtim i mbajtur dhe jam këtu sot, bashkë me disa kolegë të mitë, përpara jush dhe të gjithë shqiptarëve të Amerikës, për t’ju thënë se në pranverën e ardhshme, dua votën tuaj nga Amerika, për ta bërë Shqipërinë 2030, anëtare të Bashkimit Europian dhe për ta ngritur, bashkë me ju, flamurin e Skënderbeut dhe Ismailit Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel, krah për krah të gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane të cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht por historia gjithmonë na ka penguar t’i bashkohemi. Dhe sot është dita për ta bërë së bashku historinë.

 

Ky është premtimi i premtimeve, thelbi i misionit tim në krye të qeverisë shqiptare, krye angazhimi i Partisë Socialiste që në krye të herës, dhe ky është zotimi ynë i pandryshueshëm i të treja mandateve të mia dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të katërt për Shqipërinë.

Rruga e Shqipërisë gjatë periudhës që unë kam pasur privilegjin të udheheq këtë përpjekje tonë të përbashkët drejt bashkimit me Europën, i ngjan shumë rrugës së çdo emigranti shqiptar në përpjekjen e tij për t’u pranuar dhe integruar me sukses në Europë dhe Amerikë.

Kur unë e  mora detyrën këtu e 11 vjet më parë, Shqipëria shihej me dyshime dhe me plot paragjykime nga bota, ashtu sic shiheshin shqiptarët, ashtu sicc shiheshit ju kur keni shkelur për herë të parë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk gëzonte më asnjë respekt. Kryeministri ishte thuajse i izoluar prej disa vitesh; as e vizitonte dhe as e ftonte më kush prej udhëheqësve të vendeve europiane.

Ndërkohë që rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar. Vendi ishte në telashe të mëdha ekonomike e financiare. Qeveria e zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve të cilat kishin mbetur rrugëve dhe shërbimeve për sektorin publik, që nga spitalet deri tek shkollat.

40 milionë dollarë ishte borxhi i qeverisë vetëm i detyrimeve të papaguara ndaj invalidëve e personave me aftësi të kufizuara. Rreziku i kolapsit energjitik më i madh se kurrë dhe borxhi ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ishte 1.3 miliardë dollarë dhe gjyshmë e shqiptarëve që paguanin edhe për gjysmën tjetër dhe gjysmën që nuk paguante më energji elektrike. Spitalet nuk kishin më ilaçe dhe familjarët i shtronin të afërmit e tyre në spital bashkë me çarçafë e batanije nga shtëpia. Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve post-operatore për shkak të instrumentave mjekësorë të amortizuar dhe sistemit të sterilizimit të shkatërruar.

Autoambulancat dhe automjetet e policisë fikeshin në rrugë nga mungesa e karburantit. Mesatarja vjetore e vrasjeve ishte një vrasje çdo tre ditë. Korrupsioni i pranishëm në çdo kontakt  të qytetarit me shtetin, deri edhe për të marrë një çertifikatë të gjendjes civile duhet të paguaje rryshfet, ndërkohë që për çdo copë letër nga shteti duhet të rrije në radhë. Turizmi në Shqipëri ishte një sektor që mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Qytetet e Shqipërisë ishin të mbuluara nga pluhuri dhe rrënimi ishte emëruesi i tyre i shesheve të tyre kryesore, ndërkohë që Tirana kishte ndalur njësoj si sahati që  ishte gjithnjë 12 edhe koha e e zhvillimit  Kanalet ujitëse e kulluese humbin çdo vit mes ferrave e plehrave dhe më shumë se sa gjysma e tokave të bukës nuk punoheshin se nuk kishin ujë, ndërsa pikat e grumbullimit të prodhimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë në tërë Shqipërinë. Për agroturizëm as bëhej fjalë. Paga minimale ishte 150 Euro dhe paga mesatare në sektorin publik ishte 370 Euro.

Prodhimi i përgjithshëm i vendit 12 miliardë Euro dhe angazhimi në punë i forcave të punës nën 50%.

Prodhimi i përgjithshëm i vendit 12 miliardë Euro dhe angazhimi në punë i forcave të punës nën 50%.

Borxhi publik ishte jashtë kontrollit dhe në terma realë ai kishte kaluar tavanin e 80%-shit, duke e bërë Shqipërinë një vend me litarin në fyt përballë tregjeve financiare ndërkombëtare.

Drejtësia ishte një pazar i madh, ku e drejta shitej e blihej si mall dhe pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim i emrit Shqipëri në çdo vlerësim e raport ndërkombëtar për vendin tonë.

Sot, realiteti i zymtë i vetëm një dekade më parë është përmbysur në çdo sektor dhe era e re e shtetit fryn gjithnjë e më e fortë, falë edhe një bashkëpunimi të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Në vetëm një dekadë kemi dyfishuar prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke shënuar rritjen më të lartë relative në rajon. Kemi trefishuar pagën minimale dhe po ashtu pagën mesatare në sektorin publik, e cila ka arritur këtë vit në 900 Euro. Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës nga më pak se 50% në afro 70%. Jemi të parët në rajon edhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm për frymë, me mbi 100%, si asnjë vend tjetër dhe nëse një dekadë më parë ishim të parafundit me 4400 USD për frymë, sot jemi mbi mesataren e rajonit me 9400 USD për frymë dhe renditemi të tretët, pas Serbisë dhe Malit të Zi që kjëtë transformim e kanë filluar shumë vite më parë se sa ne.

Pagat reale në sektorin privat në Shqipërisë janë sot plotësisht konkuruese me rajonin dhe në sektorin e turizmit janë thuajse në një nivel me Greqinë.

Por më e rëndësishmja nga të gjitha sot është se Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmish mbi ligjin dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen e parë vdekjeprurëse të historisë sonë, të parën qysh prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Të gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori sa duke e kthyer kokën mbrapa të shohin se qysh prej vitit 1912 për herë të parë në historinë tonë, njerëz të veshur me pushtet politik apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri qoftë  në opozitë. Kurrë më parë në historinë tonë, një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar a dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika.

Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga ministrat e kohës së diktaturës e deri tek ish-kryeministri Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie, e cila qoftë në dikaturën komuniste e qoftë në demokracinë fëminore shqiptare, ka qenë e urdhëruar dhe e manipuluar nga partia në pushtet.

Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund, e unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, përpara se sa të hynte në Bashkimin Europian, e lëre pastaj nga vendet e rajonit tonë, ku ende nuk ka ndodhur ajo që po ndodh në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria po merr edhe vlerësimet maksimale dhe mbështetjen maksimale.