Zjarret në vend! Digjet Tomorri e Mali i Thatë, Selenica shpëton

Temperaturat e larta që kanë mbërthyer vendin kanë favorizuar vatrat e zjarrit kudo në vend. Në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit vatrat e zjarrit vijojnë që të jenë aktive. Sot në orët e para të mëngjesit forcat zjarrfikëse dhe punonjës të ADZM po angazhohen për shuarjen e flakëve. Zjarri nisi mesditën e 12 gushtit rreth orës 14:00, duke djegur kurorën me pisha. Autoritetet vendore sqaruan se vatra ndodhet në zonën e “Majës së Çukës”, aty ku mbahet pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj (20-25 gusht) dhe flakët u përhapen me rrezikshmëri edhe për shkak të erës dhe terrenit të thyer.

Ndërkohë në Malin e Thatë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës zjarri vijon prej 7 ditësh. 80 forca po punojnë për shuarjen, ndërsa është ulur intensiteti i flakëve. Perfekti i Qarkut Korçë Nertil Jole tha se ‘sot pritet që të vihet nën kontroll’. Sakaq vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës është vënë në kontroll. Kështu bën me dije ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu. Sipas ministrit, rreziku për banesat është eliminuar, por situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm. Në masivin pyjor në fshatin Lekaj në Lushnjë, zjarri vijon të jetë aktiv. 10 hektarë shkurra dhe pisha janë djegur. Terreni i vështirë kodrinor dhe me mungesë rrugësh për të shkuar mjetet zjarrfikëse e bën edhe më të vështirë situatën.

Prej 7 ditësh zjarri në Malin e Thatë, prefekti: Sot pritet që të vihet nën kontroll

Prej 7 ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Malin e Thatë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës. Prefekti i Korçës Nertil Jole tha se sot do të jetë dita vendimtare, ndërsa 80 forca janë angazhuar për shuarjen e zjarrit.

‘Jemi sot këtu në Goricë së bashku me kryetarin e bashkisë Pustec për të bërë përpjekjen e radhës, në ditën e 7-të, për të luftuar një vatër komplekse, ne zonën e Parkut Kombëtar të Prespës.

Kemi organizuar punën me të gjitha strukturat operacionale në nivel qarku na janë ofruar si mbështetje edhe shërbimet e bashkive të tjera së bashku me detashmentin, agjencinë e zonave të mbrojtura, më shërbimin pyjor, strukturat e policisë etj.

Jemi organizuar punën në mënyrë që të bëjmë përpjekjen e radhës, për të neutralizuar ku është mundësia mospërhapjen e mëtejshme të vatrës së zjarrit duke shpresuar që në këtë mënyrë do të kufizojmë ecurinë e saj.

Në çdo rast jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritete, ministrinë e mbrojtjes, me ministrin posaçërisht, me drejtorinë e agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile duke shpresuar që nuk do të jetë e nevojshme të angazhohet mekanizmi europian për ndërhyrje nga ajri megjithatë nëse një nevojë e tillë do të jetë kemi marrë mbështetje dhe garanci që të sigurohet edhe ky shërbim në mënyrë që të mbrojmë një nga zonat më të pasura pyjore të qarkut tonë, por edhe të gjithë Shqipërisë.’- tha Jole.

Vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës, s’ka rrezik për banorët

Vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës është vënë në kontroll. Kështu bën me dije ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu. Sipas ministrit, rreziku për banesat është eliminuar, por situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

‘Pas një nate përpjekjesh e pune të pandërprerë, strukturat operacionale të Emergjencave Civile në nivel lokal dhe qendror, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kanë arritur të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës.

Rreziku për banesat është eliminuar, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në ndihmë të forcave vendore janë bashkuar edhe dy ekipe zjarrfikësish nga Forcat e Armatosura.

Mirënjohje të gjithë efektivëve për punën e tyre heroike në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.’- njofton ministri i Mbrojtjes.

Zjarri në masivin pyjor të Lekajt në Lushnjë, digjen 10 ha me shkurre dhe pisha! Vatrat ende aktive

Një zjarr i rënë mbrëmjen e së hënës në kodrat mbi fshatin Lekaj të njësisë administrative Hysgjokaj ka djegur deri në orën 22 rreth 10 hektarë me shkurre e pisha. Terreni i vështirë kodrinor dhe me mungesë rrugësh për të shkuar mjetet zjarrfikëse e bën edhe më të vështirë situatën.

Zjarrfikësit e Lushnjes, punonjësit e policisë dhe punonjës të strukturave mbështetëse të bashkisë kanë shkuar për të izoluar vatrën e zjarrit me mjete rrethanore dhe me pompa shpine.

Në ndihmë të tyre kanë ardhur dhe zjarrfikës nga Fieri dhe Patosi por vështirësia mbetet për shkak të terrenit. Zjarri vijon të djegë sipërfaqe me bar të thatë e shkurre.

Fatmirësisht nuk rrezikohet asnjë banesë pasi të zjarri është larg tyre. Për fat nata ishte e qetë dhe nuk fryu erë çka do të vështirësonte situatën.