Zbulohen momentet e fundit të 42-vjeçarit Egli Proga, që përfundoi viktimë e një sulmi të dhunshëm në ambientet e jashtme të një lokali në Pogradec të shtunën, më 10 Gusht.
REPLIKE disponon edhe videon e të ndjerit, çastet e fundit para se të dhunohej barbarisht nga i arrestuari Denis Meçi. Në videon e gjatë 1 minutë e 11 sekonda, të shkëputura nga një dyqan fruta-perimesh në Pogradec, pranë vendngjarjes, dallohet në fillim 42-vjeçari që del nga një ambient biznesi, që duket se e zotëronte vetë, teksa përpiqet ta mbyllë me çelës dhe me shumë vështirësi.Proga dallohet se nuk mban dot ekuilibrin (dyshohet nga gjendja e dehur) dhe pas shumë përpjekjesh arrin ta mbyllë derën dhe nis të ecë i lëkundur në trotuarin e rrugës. Në dorë mban edhe një çantë të vogël, teksa kalon dyqanin dhe aty kamera mbaron vëzhgimin vizual.
Teksa vetëm pak momente më vonë, ai është sulmuar barbarisht dhe u shemb në asfaltin e rrugës. Por edhe pse u dërgua me urgjencë në spital pasi iu dha ndihma e parë në rrugë nga qytetarët, Proga fatkeqësisht ndërroi jetë.
Për ngjarjen kanë nisur verifikimet e procedurave të ndjekura nga Policia e Pogradecit, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, nëse ka pasur shkelje ligjore dhe hetimore paraprake. Motivet e ngjarjes së rëndë mbeten ende të panjohura dhe prokuroria e ka ende në hetim aktiv, ku po mbledh pamje, dëshmi dhe prova të tjera.