8 Marsi mes dhimbjes dhe shpresës! Gratë që nuk arritën ta festojnë këtë ditë
Teksa bota feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Shqipëria dhe diaspora shqiptare numërojnë dhjetëra gra që nuk jetojnë më për ta shënuar këtë ditë. Ato nuk u vranë nga aksidentet apo sëmundjet – por nga dhuna. Nga burrat, bashkëshortët, djemtë e tyre.
Bedrie Loka, Sibela Abedini, Anila Ndoka, Eleonora Toci, Alma Arrazi… janë vetëm disa nga emrat e grave që gjatë vitit të fundit u vetëflijuan ose u vranë si pasojë e dhunës. Historia e secilës është një dramë e veçantë, por të gjitha bashkohen në një realitet të trishtë: gratë në Shqipëri dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit vazhdojnë të jenë viktima të dhunës së pamëshirshme.
Një vit tragjik për gratë shqiptare
Nga Bedrie Loka në Sukth, e cila u vetëflijua pas dhunës dhe poshtërimeve të bashkëshortit, te Sibela Abedini në Kamëz, e cila u hodh nga kati i katërt pasi u shantazhua me foto, deri te Anila Ndoka, e cila u qëllua me armë nga bashkëjetuesi dhe ndërroi jetë pas gjashtë ditësh në spital – të gjitha këto histori janë një dëshmi e realitetit të errët që shumë gra përballen çdo ditë.
Në Greqi, Enkelejda Danaj u masakrua me thikë në mes të rrugës në Athinë, ndërsa Alba Cenko u godit për vdekje me çekiç nga bashkëshorti, i cili më pas e fshehu trupin në papafingo për një javë. Në Itali, Eleonora Toci u vra në sy të fëmijëve të saj.
Në Shqipëri, gratë e moshuara gjithashtu nuk kanë qenë të kursyera nga dhuna. Ike Sokoli, 75 vjeç, u vra nga i biri në Rrogozhinë, ndërsa Gjylije Dani, 88 vjeç, u ther me thikë nga djali i saj në Lezhë. Shano Islami, 66 vjeç, u vra nga bashkëshorti i saj në Konispol, dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeç, u dhunua për vdekje nga bashkëfshatari në Dropull.
Ky 8 Mars është për to
8 Marsi nuk duhet të jetë vetëm një ditë lulesh dhe festimesh boshe. Duhet të jetë një ditë reflektimi dhe proteste për gratë që nuk janë më mes nesh. Për Bedrien, Sibelën, Anilën, Eleonorën dhe të gjitha ato që nuk arritën të shpëtonin nga dhuna.
Ky 8 Mars është për ta kujtuar dhimbjen, por edhe për të kërkuar ndryshim. Për të mos heshtur. Për të mos lejuar që emrat e tyre të jenë thjesht statistika.
Gratë nuk duhet të festojnë duke kërcyer me striptistë në Tiranë, por duke dalë në krah të njëra-tjetrës. Duke bërë zërin e tyre të dëgjohet. Duke refuzuar të jenë viktima.
Ky 8 Mars është një thirrje për drejtësi. Le të mos i harrojmë.