“700 mijë euro për të ndryshuar dëshminë”- Nuredin Dumani i kundërvihet ish-shokëve në gjyq,Gentian Sharra: Qenie e shpifur

Seanca e radhës në gjykatën e Krimeve të Rënda ka vazhduar edhe deri në orët e pasdites të martën, ku bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dëshmuar në procesin “Plumbi i Artë”. Gjatë pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, Dumani ka pasur një përballje të ashpër me ish-shokët e tij, Gentian Sharrën dhe Asllan Plakun, të cilët i ka implikuar në ngjarje kriminale.

Dumani ka pretenduar se iu janë çuar fjalë nga njerëz në burg që të ndryshonte dëshminë për Gent Sharrën dhe Suel Çelen, duke ofruar qindra mijëra euro. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e Sharrës dhe Plakut.

Gentian Sharra e ka quajtur Dumanin një “qenie të shpifur”, duke shtuar se ai përmend emra, përfshirë Emiliano Shullazin, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje.

Nga ana tjetër, Asllan Plaku ka deklaruar se ishte Nuredin Dumani ai që i ka vendosur gjoba Gent Sharrës prej 200 mijë eurosh dhe Suel Çeles 500 mijë euro për të ndryshuar dëshminë. Ky proces po vazhdon të zhvillohet në një atmosferë tensioni dhe akuza të ndërsjella.