6 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, takim i nivelit të lartë në KQZ! Dumani, Celibashi, Çela dhe Proda diskutojnë për garantimin e procesit zgjedhor
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u zhvillua sot një takim i rëndësishëm ndërinstitucional mes katër drejtuesve të lartë të institucioneve kyçe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi; kreu i SPAK, Altin Dumani; Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u mblodhën për të diskutuar rreth masave që garantojnë integritetin dhe sigurinë e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ, takimi kishte për qëllim rritjen e koordinimit mes institucioneve përgjegjëse për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo formë shkeljeje të ligjit zgjedhor, si dhe për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fazat e procesit.
Në qendër të diskutimeve ishin masat organizative dhe operacionale që po zbatohen për të garantuar një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të besueshëm. Përfaqësuesit e institucioneve ndanë informacion mbi kallëzimet e deritanishme për shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor dhe theksuan rëndësinë e reagimit të shpejtë të strukturave përkatëse të hetimit për të mos lejuar minimin e besimit publik në procesin zgjedhor.
Një temë me rëndësi të veçantë ishte edhe votimi nga jashtë vendit, një element i ri në zgjedhjet e 11 majit. U diskutuan përgatitjet logjistike dhe institucionale për këtë proces, siguria e dërgesave postare dhe ruajtja e të drejtës së votës për emigrantët shqiptarë.
Në përfundim të takimit, krerët e institucioneve vizituan Qendrën Operacionale të Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ, ku janë të atashuar përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për monitorim dhe ndërhyrje të shpejtë në rast shkeljesh gjatë procesit zgjedhor.