581 vjetori i Besëlidhjes, në Lezhë vendoset shtatorja e heroit kombëtar Skënderbeut

Lezha kremtoi 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës me një ceremoni madhështore, ku morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Maqedonia e Veriut ish kryeparlamentari Telat Xhaferri dhe kreu i BDI në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti, Kryetari i Konunes së Ulqinit Genci Maninbegu, Kryetarja e Komunes se Presheves Ardita Sinani, arbëreshët e Italisë dhe shumë përfaqësues të tjerë të trojeve shqiptare.

Në nderim të kësaj ngjarjeje historike, fillimisht u vendosën kurora me lule pranë memorialit të Skënderbeut, ndërsa më pas u zbulua shtatorja e heroit kombëtar. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, e cilësoi këtë moment si shumë të rëndësishëm dhe të shumëpritur, duke theksuar se kujtimi i Besëlidhjes duhet të shërbejë si një reflektim për forcimin e aleancës mes shqiptarëve, pavarësisht ndarjes në shtete.

Në fjalët e tyre, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, si dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, theksuan rëndësinë e unitetit shqiptar si një forcë për të përballuar sfidat dhe për të qëndruar pranë njëri-tjetrit

Në kuadër të kremtimit të kësaj dite, u organizuan edhe një sërë aktivitetesh artistiko-kulturore, që sollën në vëmendje rëndësinë historike të Besëlidhjes së Lezhës për kombin shqiptar.