54-vjeçarja humbi jetën pas operacionit për ngushtim stomaku në Durrës, kirurgu Ilir Shani: Jam i tronditur, s’do kursej asgjë…
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një grua 54-vjeçare, Valbona Xha Zejno, humbi jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtim stomaku në një klinikë private.
Mjeku kirurg Ilir Shani po hetohet për “neglizhencë në trajtimin mjekësor” në gjendje të lirë, për shkak të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së pacientes. Sipas Kodit Penal shqiptar, në raste të tilla, nëse provohet neglizhenca që shkakton vdekjen, dënimi mund të shkojë deri në 2 vite burg.
Familjarët e viktimës kanë bërë denoncimin, ndërsa prokuroria e Durrësit vijon hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes. Mesohet se pacientja kishte probleme kardiake, por nuk është e qartë nëse kjo është marrë parasysh para nisjes së operacionit.
Në një postim në Facebook, mjeku Ilir Shani shpreh tronditjen e tij dhe thekson bashkëpunimin me autoritetet.
Reagimi i plotë i kirurgut Ilir Shani:
Në vijim të ngjarjes së rëndë që ndodhi para dy ditësh në ambientet e spitalit tonë, ndjej për detyrë morale dhe profesionale të paraqes një sqarim mbi pozicionin tonë si institucion shëndetësor dhe timin personalisht si mjek përgjegjës.
Së pari, në emër të stafit mjekësor dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet familjarisht më të sinqerta familjes së të ndjerës V.XH. Kjo humbje është thellësisht e dhimbshme për të gjithë ne, pasi e ndjera ishte jo vetëm paciente, por edhe një e njohur e afërt e jona për të cilën ushqenim respekt të veçantë. Ndajmë dhimbjen dhe qëndrojmë pranë familjarëve në këtë moment të vështirë.
Si mjek përgjegjës, ndjej detyrimin të sqaroj rrethanat e kësaj ngjarjeje të trishtë, duke u udhëhequr nga parimi i transparencës ndaj familjarëve dhe qytetarëve.
Pacientja V.XH iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale të ngushtimit te stomakut më datë 20.05.2025. Operacioni përfundoi normalisht dhe pacientja u transferua në pavijon në gjendje të mire. Gjatë orëve në vijim, gjendja e saj u monitorua vazhdimisht dhe parametrat jetësorë rezultuan brenda normave.Pacientja ishte aktive , lëvizte , komunikonte , nuk kishte asnje shqetesim .
Fatkeqësisht, ne te gdhirë te dates 21 , pacientja pësoi një arrest kardiak të menjëhershëm, pasojë e një infarkti akut masiv, dhe ndërroi jetë brenda pak minutash. Megjithëse ndihma mjekësore u ofrua menjëherë , goditja rezultoi fatale dhe përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses.
Në emër të vetes dhe të të gjithë stafit që ka qenë i përfshirë në trajtimin e pacientes, shpreh keqardhjen më të thellë për këtë humbje. E kuptojmë dhe ndjejmë dhimbjen e familjes dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin e plotë me organet përkatëse, të cilat do të hedhin dritë mbi çdo aspekt të kësaj ngjarjeje.
Me respekt dhe përulësi para dhimbjes së familjes,
Ilir Shani