500 dronë brenda një nate, analiza: Pse Rusia po i shton sulmet ndaj Ukrainës?
Kievi dhe Odesa janë nën sulmet më masive ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Moska po sulmon me qindra dronë dhe raketa. Po pse tani?
Rusia kreu prapë një sulm tjetër me dronë në Odessa. Sipas mediave lokale, u goditën ndërtesa e qendrës së rekrutimit të ushtrisë ukrainase dhe ndërtesa banimi. Një ditë më parë, të paktën dy persona u vranë në një sulm masiv në Kiev të Ukrainës. Disa lagje të qytetit u goditën. Kryebashkiaku Vitali Klitschko raportoi se një stacion ambulance u shkatërrua.
Kohët e fundit, është regjistruar një seri sulmesh masive të kombinuara ruse. Ajo që ndodhi natën e 4 korrikut në Kiev, për shembull, quhet edhe si “nata e ferrit” nga mediat ukrainase. Ushtria ruse përdori më shumë se 500 dronë dhe raketa Kinzhal dhe Iskander. Por më pas janë përdorur prapë qindra dronë e raketa.
Pas kësaj, edhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili më parë e paraqiti veten si ndërmjetës në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, tha se ishte i zhgënjyer me Rusinë. Ai gjithashtu e ashpërsoi retorikën e tij ndaj Kremlinit. “Putin po bën shumë budallallëqe”, tha Trump, duke shtuar se presidenti rus është “gjithmonë shumë i sjellshëm”, por në fund “rezulton të jetë e parëndësishme”.
Menjëherë pas këtyre deklaratave, Shtetet e Bashkuara rifilluan dërgesat e llojeve të caktuara të armëve në Ukrainë. Këto janë, sipas Reuters, predha artilerie dhe obus vetëlëvizës. Ndërkohë SHBA ka vendosur të dërgojë prapë edhe sisteme Patriot.
Prodhim mijëra dronësh në muaj
Falë zgjerimit të prodhimit të dronëve Rusia tani është në gjendje të kryejë sulme kaq masive. Ajo nuk është më e varur nga Irani, siç ishte rasti në vitin 2022.
“Rusia ka përdorur dronë që nga viti 2022, por tani ka ndryshuar sasia”, tha për DW eksperti i teknologjisë ushtarake David Hambling. “Tani po prodhohen në muaj mijëra, ndoshta dhe dhjetëra-mijëra dronë. Kjo është e mjaftueshme për të mbingarkuar shumicën e sistemeve mbrojtëse të projektuara për të kapur raketa.”
Koloneli Markus Reisner nga ushtria austriake thekson në një intervistë me DW se Rusia nuk do të ishte në gjendje të kryente sulme kaq masive pa ndihmën e vendeve të tjera. Kina, thotë ai, furnizon Rusinë me pjesë për të prodhuar dronë, ndërsa Koreja e Veriut furnizon Moskën me raketa balistike. “Është e qartë se Rusia llogarit në mbështetjen e vendeve të tjera këtu”, përfundon Reisner.
Terrorizimi i popullsisë ukrainase
Pas sulmit të fundit ndaj Kievit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu mendimin e tij se pse Rusia po intensifikon bombardimet e kryeqytetit. Vladimir Putin dëshiron që, siç thotë ai, “njerëzit të vuajnë dhe të ikin nga Ukraina, që shtëpitë, shkollat – jetët e tyre – t’i shkatërrojë kudo, jo vetëm në front”, raporton portali ukrainas NV.
New York Times shkruan, duke cituar burime pranë Kremlinit, se në këtë mënyrë Rusia dëshiron të thyejë mbrojtjen ukrainase në muajt e ardhshëm.
Koloneli Reisner beson se Putin po përpiqet të arrijë dy qëllime strategjike me sulmet e fundit të kombinuara – së pari, të shkatërrojë kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës dhe së dyti, të ndikojë në publik duke sulmuar civilët. “Sulmet e synuara ndaj popullsisë, e cila është dobësuar nga terrori, janë një përpjekje indirekte për të ushtruar presion mbi qeverinë ukrainase”, shpjegon ai.
A po fillon ofensiva ruse e verës?
Shumë analistë ushtarakë presin që Rusia të nisë një ofensivë të re këtë verë. Shkencëtari politik gjerman Andreas Heinemann-Grüder i sheh sulmet e kombinuara të intensifikuara që Ukraina i është nënshtruar së fundmi si pjesë të asaj fushate.
Qëllimi i Rusisë, beson ai, është të dobësojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës deri në atë pikë sa humbjet të mos mund të kompensohen nga furnizimet perëndimore të armëve dhe sistemeve mbrojtëse. Kjo mund të jetë gjithashtu një shenjë se Rusia po përgatitet për një “betejë vendimtare”, sugjeron Heinemann-Grüder.
Ai nuk e përjashton mundësinë që Rusia të jetë në gjendje ta rrethojë Ukrainën deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm dhe ta detyrojë atë të pranojë kërkesat e Kremlinit.
Çfarë mund të bëjë Perëndimi?
Ekspertët thonë për DW se Perëndimi duhet të veprojë më me vendosmëri për t’i mohuar Rusisë iniciativën në fushën e betejës. Në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila u mbajt në Romë ditët e fundit, Presidenti Zelensky tha se Ukraina kishte gjetur një zgjidhje për të sprapsur sulmet ruse – me dronë të caktuar. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se sektori i mbrojtjes i vendit të tij ka nevojë urgjente për investime të mëdha.
Koloneli Reisner konfirmon se Ukraina tashmë po arrin rezultate të mira në prodhimin e dronëve të saj. Megjithatë, mbrojtjen efikase nuk mund të bëjë pa mbështetjen perëndimore.
“Ne kemi nevojë për ndihmën perëndimore, veçanërisht kur bëhet fjalë për sisteme të specializuara armësh, siç janë sistemet raketore të mbrojtjes ajrore Patriot.”
Qëndrimet e kancelarit Merz
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha më parë se Gjermania ishte gati të blinte këto sisteme nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën. Donald Trump u tha gazetarëve të dielën se do t’i dërgonte Ukrainës “armë shumë të sofistikuara” dhe se këto armë do të “paguheshin 100 për qind”. Ai shpjegoi se këto sisteme do t’i paguajë NATO.
Për të ofruar ndihmë efektive, Perëndimi duhet të kapërcejë frikën se armët e dërguara mund të bien në duart e Rusisë, thotë Andreas Heinemann-Grüder. Disa kompani perëndimore të armëve kanë frikë se kjo mund të rezultojë në humbjen e avantazhit teknologjik.
Ato janë gjithashtu të shqetësuara se krijimi i sipërmarrjeve të përbashkëta me Ukrainën mund të ulë çmimet e produkteve të tyre. “Sipas mendimit tim, kjo mënyrë e të menduarit duhet të kapërcehet”, thotë eksperti./DW