50 profesorë kallëzohen në SPAK: Të hetohen Begajn e Manastirliun si grup i strukturuar kriminal
Pedagogu dhe ish-zv.ministri i Arsimit Taulant Muka, këtë të hënë ka depozituar në SPAK dosjen me 400 faqe për plagjaturë për rektorin e Unverisitetit të Tiranës Artan Hoxha, dhe mbi 50 profesorë në UT, Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, Presidentin Bajram Begaj dhe Avokaten e Popullit Erinda Ballanca.
Në një postim në Facebook, Muka shkruan se ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme dhe pret që zyrtarët e lartë që ai ka denoncuar të hetohen për grup të strukturuar kriminal në arsimin e lartë.
Më tej Muka thekson se tani fjala i mbetet drejtësisë nëse do vendosë standarde për arsimin dhe shkencën shqiptare.
“Dita e parë në Tiranë. Sapo depozitova dosjen me mbi 400 faqe në SPAK mbi plagjiaturën për rektorin e UT dhe mbi 50 profesorë në UT, Ministren e Arsimit, Presidentin dhe Avokatin e Popullit me kërkesën për hetim për një grup të strukturuar kriminal në arsimin e lartë. Tani fjala i mbetet drejtësisë nëse do vendosë standarde për arsimin dhe shkencën shqiptare!”, shkruan Muka në Facebook.