5 Qershori shënon nisjen e Luftës së Vlorës – Sot, 105 vjet nga një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare

Viti 1920 konsiderohet si një ndër vitet më vendimtare në historinë e Shqipërisë. Përveç Luftës së Vlorës, në këtë vit historik u mbajt edhe Kongresi i Lushnjës, ndërsa Tirana u shpall për herë të parë kryeqytet i vendit.

Përgjegjësi i Muzeut Historik, Skënder Spahiu, e vlerëson Luftën e Vlorës si një ndër momentet kyçe të historisë kombëtare. Ai thekson se kjo luftë, e cila zgjati rreth tre muaj, kishte edhe veçoritë e saj – përfshirë dërgimin e një ultimatumi ndaj ushtrisë italiane, si dhe mungesën fillestare të besimit se kjo përpjekje do të përfundonte me sukses, duke e bashkuar Vlorën me qeverinë shqiptare të krijuar në atë kohë.

Spahiu thekson se: “Lufta e Vlorës nuk ishte vetëm një përballje ushtarake, por edhe një akt i lartë politik dhe kombëtar që tregoi vendosmërinë e shqiptarëve për sovranitet dhe pavarësi.”

Në këtë luftë morën pjesë qytetarë nga Vlora dhe rrethinat, por edhe nga shumë qytete të tjera të vendit, të cilët iu bashkuan vullnetarisht për të mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë.

Në ambientet e Muzeut Historik është hapur një stendë fotografike që sjell në kujtesë momente të rëndësishme nga kjo ngjarje historike, duke nderuar kështu sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe përfundoi më 3 shtator të po atij viti, duke shënuar largimin e ushtrisë italiane dhe një fitore të madhe për Shqipërinë e sapodalë nga Lufta e Parë Botërore.