5 maji/ Çfarë simbolizon kjo ditë për Shqipërinë?
5 maji njihet si Dita e Dëshmorëve të Atdheut në Shqipëri dhe si çdo vit tjetër pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Zyrtarë të shtetit dhe politikës do të vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Kujtojmë se dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut.
Gjate luftës nacional çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.