5 destinacione të qeta dhe me pamje magjepëse në Mesdhe për 2025! Media e huaj “Travel Off Path” për Himarën: Pa turmë dhe me çmime të përballueshme

Deti Mesdhe rrethon disa nga destinacionet më të bukura në botë: Costa del Sol me diell në Spanjë, Côte d’Azur me ujëra të kaltër në Francë, Cinque Terre në Itali, si dhe Santorini dhe ishujt fqinjë të Kikladeve në Greqi.

Nëse po planifikoni një udhëtim gjatë verës së këtij viti, Mesdheu është ndoshta në krye të listës tuaj të dëshirave. Por si të shmangni destinacionet e mbipopulluara që pritet të jenë edhe më të mbingarkuara në 2025? Mos u shqetësoni!

Media e njohur Travel Off Path ka përzgjedhur 5 destinacione të fshehura mesdhetare që ende ruajnë autenticitetin e tyre, me temperatura të ngrohta, çmime të përballueshme dhe atraksione kulturore:

5. Folegandros, Greqi

Santorini është një nga vendet më të frekuentuara në Mesdhe, me turmat që presin në radhë për të kapur atë foton perfekte. Por vetëm 40 milje detare në veriperëndim ndodhet Folegandros, një ishull i vogël që ka ruajtur karakterin e tij origjinal.

Me një sipërfaqe prej vetëm 32 km², Folegandros është një parajsë e qetë me një kryeqytet kompakt (Chora), i cili qëndron mbi një kodër shkëmbore. Kisha e famshme e Panagisë ngrihet në majën më të lartë, ndërsa shtigjet e shumta për hiking ju çojnë në pamje mahnitëse.

Folegandros është vendi ideal për ata që duan ekskluzivitet dhe autenticitet. Çmimet janë të arsyeshme: hotelet kushtojnë nga 83-95 dollarë, ndërsa darkat në restorantin To Zimaraki janë po ashtu shumë të përballueshme.

4. Brindisi, Itali

Adriatiku italian është i famshëm për Venecian dhe plazhet e Riminit, por në jug, në “thembrën” e Italisë, ndodhet Brindisi, një alternativë më pak e njohur për turistët.

Një qytet port që daton mbi 2,000 vjet më parë, Brindisi shquhet për Kalaja Aragonese me gurë të kuq dhe Qytetin e Vjetër, që është një labirint ndërtesash pastel, rrënojash romake dhe trattoria familjare që shërbejnë peshk të freskët dhe pasta.

Plazhi Lido Morelli ndodhet vetëm 29 minuta larg Brindisit, me rërë të bardhë dhe ujëra të pastër si në Karaibe. Në vetëm 20 minuta, gjendet edhe Lido Specchiolla, një tjetër plazh i qetë ku mund të relaksoheni. Për ushqim tradicional puglian, vizitoni La Locanda del Porto, ku mund të shijoni një pjatë të mrekullueshme me spageti dhe peshk shpatë.

3. Himarë, Shqipëri

Shqipëria mund të mos jetë zgjedhja e parë për pushime në Mesdhe, por Himara është një nga thesarët e fshehur të bregdetit Jonian. E përbërë nga disa fshatra të vogla përgjatë bregut dhe e mbështetur nga Malet Akrokeraune, Himara kombinon bukuritë natyrore me trashëgiminë shqiptaro-greke.

Pika më fotogjenike është padyshim Dhërmiu, një fshat i vogël me shtëpi të bardha dhe një kishë me kupolë blu. Mos lini pa vizituar plazhet Gjipe dhe Palasë, me ujëra të kthjellëta dhe shumë mundësi për ushqim të freskët.

Bregdeti shqiptar është ndër destinacionet më të lira në Evropë, me vakte që kushtojnë rreth 10 dollarë dhe vila moderne buzë detit që fillojnë nga 57 dollarë (si Hercules Sea View).

2. Korçula, Kroaci

Nëse turmat në Dubrovnik dhe çmimet e larta në Split ju kanë larguar nga këto destinacione, atëherë ishulli i Korçulës është alternativa perfekte. I gjatë 47 km dhe i gjerë rreth 8 km, Korçula është një vend plot mrekulli.

Shtëpia e Marco Polos ndodhet pikërisht këtu (sipas disa burimeve), ndërsa gjiri Pupnatska Luka ofron ujëra kristal të qeta. Korçula Town, me rrugët e saj me kalldrëm dhe ndërtesat e lashta, është vendi ideal për të eksploruar kulturën dalmate, ndërsa Vela Luka është qendra kulinare e ishullit.

Mos lini pa provuar proshutën dalmate dhe djathin paški në restorantin Konoba Bata. Gjithashtu, mos nënvlerësoni akulloret kroate që thuhet se rivalizojnë ato italiane.

1. Porto-Vecchio, Francë

Një thesar i fshehur në Korsikë, Porto-Vecchio është një qytet port tërheqës me rrugë të ngushta dhe një kala mesjetare. Sheshi kryesor, Place de la République, është i mbushur me dyqane suveniresh dhe bistrot franceze.

Vizitorët duhet të eksplorojnë kështjellën xhenoveze ose të kalojnë një ditë relaksi në plazhin Palombaggia, ku rëra e bardhë takon ujërat blu.

Për një qëndrim të përballueshëm, provoni Hotel Alcyon me dhoma që fillojnë nga 89 dollarë ose Hôtel Le Mistral, vetëm 6 minuta larg qendrës së qytetit, për 79 dollarë nata.