Kultivonin bimë narkotike, shpallen në kërkim dy vëllezër në Shkodër
Dy vëllezër janë vënë në kërkim nga Policia e Shkodrës pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike dhe të posedimit të armës së zjarrit.
Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Shkodrës kanë siguruar informacion se 2 shtetas kishin kultivuar bimë narkotike, në pronën që kishin në fshatin Vuksanaj.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetasve dhe në zonën përreth, Policia ka gjetur një miniparcelë në afërsi të banesës, 70 bimë narkotike kanabis sativa në proces tharjeje, ndërsa në ambientet e banesës, u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe 17 fishekë.