42 persona në Spitalin e Lushnjës/ Skënder Brataj: Janë jashtë rrezikut për jetën

Rreth orës 14:30 një qendër tregtare në Lushnje është përfshirë nga flakët. Pjesa më e madhe e njerëzve që ishin bllokuar brenda janë evakuuar me ndihmën e zjarrfikësve, policëve të rendit dhe forcave “RENEA”.

Nga informacionet e deritanishme mësohet se në total janë 35 persona në spital, mes tyre të moshuar e fëmijë. Këta të fundit fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse, ambulanca, por edhe ministrat e kabinetit qeveritar, drejtuesi i Policisë së Shtetit dhe shefi i emergjencave, Skënder Brataj, i cili pati edhe një deklaratë për mediat.

Ai tha se 42 perosna janë dërguar në Spitalin e Lushnjës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Mes të dërguarve në spital ka pasur edhe fëmijë.

“Fëmijët ishin 2 nga 14 vjeç dhe një rreth 7-8 vjeç e po mbahet në observim pasi ka qenë në ekspozim të tymerave, jo se ka probleme shëndetësore. Deri në këto momente nuk ka raste të vështira”,-tha shefi i emergjencave Skënder Brataj, i cili shtoi se nga kontrollet e bëra deri më tani nuk rezulton të ketë më persona të bllokuar.