Një 37-vjeçar shqiptar nga Kosova, Sabit Hadzijaj, është gjetur i pajetë në një rrugicë të Strasburgut mëngjesin e 1 shkurtit. Ai u zbulua pranë një pallati, ku kohët e fundit kishte gjetur strehë, pasi jetonte në rrugë për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Mediat e huaja raportojnë se Hadzijaj kishte kërkuar ndihmë për strehim urgjent më 24 janar, por rasti i tij mbeti në pritje dhe, për fat të keq, ai ndërroi jetë një javë më vonë. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e autopsisë.
37-vjeçari kishte jetuar në Strasburg që nga fëmijëria, por mbetet e paqartë se si përfundoi në rrugë. Rasti ka tronditur komunitetin dhe ka rikthyer vëmendjen tek çështja e strehimit për personat në nevojë.