350 mijë euro në 6 orë baste, dalin përgjime të reja për Fagioli – përmendet edhe Florenzi
Skandali i basteve që ka përfshirë futbollin italian vijon të thellohet, me detaje të reja që kanë dalë në dritë nga përgjimet e autoriteteve. Mediat italiane, përfshirë “La Repubblica”, kanë publikuar së fundmi një episod që tregon përmasat e habitshme të këtij fenomeni.
Sipas përgjimeve të Shërbimit Qendror Operativ të Policisë, më 14 shkurt 2023, mesfushori i Fiorentinës dhe përfaqësueses së Italisë, Nicola Fagioli, ka shpenzuar 350 mijë euro në baste brenda vetëm 6 orëve, nga ora 14:00 deri në orën 20:00. Këto baste janë vendosur nga Ludovico Franchitti, një muzikant nga Roma dhe mik i Fagiolit, i cili rezulton të ketë qenë personi që kryente transaksionet në emër të tij.
Në përgjime përmendet edhe emri i Alessandro Florenzi, një tjetër emër i njohur i futbollit italian. Sipas asaj që ka deklaruar Sandro Tonali, në një bisedë të përgjuar me Tommaso De Giacomo, person që menaxhonte bankat online për disa prej lojtarëve, Florenzi kishte humbur 300 mijë euro në një ditë, duke vendosur baste në basketboll, tenis dhe futboll ndërkombëtar.
Fagioli më herët kishte mohuar në Prokurorinë e Torinos se kishte qenë i përfshirë në skema bastesh apo se kishte përdorur ndërmjetës për vendosjen e tyre. Por përgjimet e fundit kanë rrëzuar deklaratat e tij, duke treguar se aktiviteti i tij ka qenë intensiv dhe i organizuar.