31-vjeçari arrestohet me kallashnikov dhe municion luftarak në banesë, për çfarë akuzohet

Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia pasi iu gjet një armë zjarri kallashnikov me fishekë në banesën e tij në fshatin Bishqem.

Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin ushtruan kontroll në banesën e shtetasit Merilto Merku, ku dyshohej se ai mbante armë pa leje. Gjatë kontrollit, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan një kallashnikov me municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve hetimore, 31-vjeçari u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Policia vijon kontrollet dhe hetimet për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.