Nepotizmi në Bashkinë e Durrësit/ Kush është Roza Kovaçi?


Roza Kovaçi, arrestuar sot me urdhër të SPAK, bashkë me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako dhe 8 ish-zyrtarë të tjerë, është nusja e xhaxhait të drejtorit aktual të Ujësjellësit të Durrësit, Tak Kovaçi. Roza Kovaçi është njëkohësisht edhe njeriu më i besuar i Dakos.

Familja Kovaçi ka një kalvar të gjatë nepotizmi në Durrës. Me anëtarë të punësuar kudo në bashki. Ndër vite ata janë bërë pjesë e aferave apo edhe burgime për vepra të rënda penale.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 urdhër arreste të cilat janë firmosur nga gjyqtari i GJKKO Erjon Bani. Për 7 prej tyre është firmosur masa e sigurisë ‘arrest me burg”, ndërsa për 3 prej tyre, që janë gra, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest shtëpie”.

Janë firmosur urdhërarrestet për: 

Vangjush Dako, ish kryebashkiaku
Adlei Likmeta, arkitekt i bashkisë
Roza Kovaçi
Edlira Kertusha, juriste tek Urbanistika
Adnand Tocila
Adhurim Qehajaj ish drejtori i Urbanistikës
Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.

Hetimi nisi një vit më parë

Hetimi për shkeljet ka nisur rreth 1 vit më parë dhe Vangjush Dako është thirrur në SPAK në mars 2023 lidhur me këtë  dosje. Ndërsa ditët e fundit janë marrë në pyetje edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjatë ditës së sotme, SPAK ka ekzekutuar urdhër arrestin për Vangjush Dakon dhe një ish zyrtar tjetër ndërkohë operacioni është ende në vijim, për ekzekutimin e urdhër arresteve të tjera.

Në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non grata Vangjush Dakon. Gjithashtu DASH i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarëve të familjes së tij. Dako ka drejtuar bashkinë e Durrësit në vitet 2007-2019.