301 prona të sekuestruara nga SPAK dhe prokuroritë, mes tyre pasuri të politikanëve dhe krimit të organizuar
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka publikuar për herë të parë një katalog me pasuritë e sekuestruara, duke synuar rritjen e transparencës dhe efektivitetit në administrimin e këtyre pasurive. Katalogu përmban 615 faqe dhe shpalos detaje për çdo pronë, duke përfshirë sipërfaqen, koordinatat, fotot dhe vlerën aktuale në treg.
Mes 301 pronave të sekuestruara, më shumë se gjysma e tyre ndodhen në Tiranë dhe Vlorë. Kategoritë përfshijnë vila luksoze, apartamente, biznese, garazhe, toka bujqësore, dhe automjete. Në këtë listë përfshihen pasuritë e politikanëve dhe eksponentëve të krimit të organizuar, si dhe të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, dhe ish-bashkëshortes së Ilir Metës, Monika Kryemadhi.
Në katalog janë edhe pronat e Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit, i zhdukur prej tre vitesh. Disa nga këto pasuri përfshijnë vila luksoze dhe prona të përdorura për biznese dhe aktivitete tregtare. Ky publikim është pjesë e një procesi të vazhdueshëm inventarizimi të pasurive të konfiskuara.