30 vjet kampi veror në Velipojë për personat me aftësi të kufizuara

Ky është viti i 30-të që në Velipojë mbahet kampi veror për personat me aftësi të kufizuara. I vendosur në pyllin e pishave, Kampi veror “Shpresa” çdo vit, nga 1 korriku deri më 15 gusht, pret rreth 250 persona.

Për drejtuesin e projektit “Shpresa”, Luigj Mila, ky kamp është unik në Ballkan dhe përbën një terapi të jashtëzakonshme për këta persona. Ai shton se nga viti në vit, numri i vullnetarëve nga vende të ndryshme të Evropës që bëhen pjesë e kampit, vjen duke u rritur.

Vullnetarët shprehen se, pavarësisht vështirësive, ndjesia që përjetojnë në fund të ditës, duke u shërbyer këtyre personave, është shpërblyese dhe e pazëvendësueshme.

“Në fillim ka pasur vështirësi, por tani, duke parë se mes nesh dhe kampistëve u krijua një afinitet, arritëm t’i kapërcejmë vështirësitë. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri si grup. Jemi 12 seminaristë nga seminari i Napolit. Djemtë, gjatë këtyre ditëve, kanë përfituar një përvojë të vlefshme në shërbim.

Qëllimi është të hyhet në kontakt me më të dobëtit dhe më të varfrit. Në mëngjes dhe pasdite i kemi shoqëruar kampistët nga kampi deri në breg të detit, edhe në ujë, duke u siguruar atyre mundësinë për të shijuar detin. Ka qenë një përvojë unike për ne.”

Rini Sumulla, një pushues nga Shkodra, shprehet se pa ndihmën që i është ofruar në kamp, nuk do të kishte mundësi të arrinte deri në breg të detit.

Në kamp nuk mungojnë as vullnetarët shqiptarë. Leovina Lumaj tregon se ka tre vite që vjen në kamp si vullnetare dhe se kjo përvojë e ka prekur thellë.

“Më pëlqen shumë. Kur çdo gjë bëhet me dashuri, atëherë edhe vështirësitë nuk ndihen.”

Kampi “Shpresa” vijon të jetë një shembull frymëzimi dhe solidariteti, që shkon përtej kufijve, duke sjellë së bashku njerëz të kulturave dhe gjuhëve të ndryshme për një qëllim të përbashkët: të japin dashuri dhe kujdes atyre që kanë më shumë nevojë.