27 vjet nga sulmi i dytë i policisë serbe mbi familjen Jashari në Prekaz

Sot shënohet 27-vjetori i sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz. Ngjarja ndodhi më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, kur forcat serbe u nisën nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg lagjes Jashari, dhe sulmuan Kullën e Jasharëve me armë të llojeve të ndryshme.

Gjatë këtij sulmi, Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, dhe rezistencën e udhëhoqën Shabani dhe Hamza Jashari së bashku me nipa e mbesa.

Kjo ngjarje ishte pararendëse e sulmit të tretë dhe më të rëndë, që ndodhi më 5 mars 1998. Pas një lufte të ashpër që zgjati tri ditë, 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin Adem Jashari, ranë heroikisht, duke u bërë simbol i rezistencës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

Kujtimi për këto ngjarje mbetet i gjallë në historinë dhe zemrat e shqiptarëve, duke i përkujtuar sakrificat e familjes Jashari në rrugën drejt pavarësisë.