249-vjetori i Pavarësisë së SHBA! Historia, simbolika dhe debatet që e shoqërojnë 4 Korrikun në Amerikën moderne

Sot, më 4 korrik 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 249-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga festat më të rëndësishme dhe më të diskutueshme në historinë e vendit. Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi zyrtarisht Deklaratën e Pavarësisë, duke shpallur ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar dhe themelimin e një kombi të ri.

Festimet për këtë ditë nisën menjëherë pas miratimit të deklaratës: me parada, fishekzjarrë dhe lexime publike. Megjithatë, SHBA e shpalli zyrtarisht 4 korrikun si festë federale vetëm në vitin 1870, pas përfundimit të Luftës Civile, në një përpjekje për të bashkuar një vend ende të ndarë nga plagët e luftës.

Historianët thonë se 4 Korriku pasqyron evolucionin politik dhe social të vendit – një pasqyrë e asaj që SHBA ka qenë dhe çfarë synon të bëhet. Eric Foner, fitues i Çmimit Pulitzer, e sheh Ditën e Pavarësisë si një moment reflektimi mbi konsolidimin e pushtetit federal dhe ndërtimin e identitetit kombëtar.

Një festë me histori komplekse dhe kontradikta të mëdha

Në dekadat pas shpalljes së pavarësisë, 4 korriku është përjetuar ndryshe nga komunitete të ndryshme. Në periudhën para Luftës Civile, afro-amerikanët shpeshherë festonin më 5 korrik për të shprehur njëkohësisht respektin për Deklaratën e Pavarësisë dhe protestën ndaj përjashtimit të tyre nga ajo liri e shpallur.

Në vitin 1852, Frederick Douglass, një nga figurat më të njohura të lëvizjes kundër skllavërisë, mbajti një nga fjalimet më të fuqishme në histori: “Çfarë është 4 korriku për skllavin?”. Fjalimi u mbajt më 5 korrik dhe mbetet edhe sot një reflektim i thellë mbi përjashtimin dhe hipokrizinë e një kombi që fliste për liri, ndërsa mbante skllevër.

Presidenti Abraham Lincoln, në mes të Luftës Civile, i dha një interpretim të ri Deklaratës së Pavarësisë, duke e parë atë si një dokument frymëzues për drejtësi dhe barazi, që do të duhej të udhëhiqte ndërtimin e një shoqërie më të barabartë.

Festat federale si pasqyrë e zhvillimit të kombit

Nga pesë festat e para federale – Dita e Pavarësisë, Viti i Ri, Krishtlindjet, Dita e Falënderimeve dhe ditëlindja e George Washington-it – SHBA ka kaluar në 12 festa zyrtare, përfshirë edhe Juneteenth, që përkujton fundin e skllavërisë. Kjo festë u bë federale në vitin 2021 dhe pasqyron një përpjekje për të përfshirë më shumë aspekte të historisë amerikane në kujtesën kolektive.

Por jo të gjitha festat janë pranuar njëzëri. Ditëlindja e Martin Luther King Jr. u përball me rezistencë nga disa shtete, ndërsa Dita e Kolombit ka kaluar nga nderim për zbuluesin e Amerikës në një ditë që disa shtete e quajnë Dita e Indigjenëve të Amerikës, për të nderuar komunitetet vendase që vuajtën pas ardhjes së europianëve.

4 Korriku sot: Një ditë reflektimi mes krenarisë dhe kritikës

Në dekadat e fundit, presidentë të ndryshëm e kanë përdorur 4 Korrikun për të theksuar vlera të ndryshme:

– Franklin D. Roosevelt dhe George W. Bush u fokusuan te ushtria dhe sakrifica për vendin;

– John F. Kennedy e quajti pavarësinë “çështjen që ndan botën” në mes të Luftës së Ftohtë;

– Barack Obama theksoi premtimin për “jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë” si një arsye përse Amerika është ende një ëndërr për shumë emigrantë;

– Në vitin 2020, Donald Trump denoncoi protestat e Black Lives Matter dhe foli për “një fushatë për të fshirë historinë tonë”;

– Ndërsa Joe Biden tha se SHBA ende nuk e ka përmbushur premtimin për barazi, duke shtuar: “Amerika nuk është përrallë – është një betejë mes idealit dhe racizmit që na ka ndarë.”