Erion Veliaj është vizituar paraditen e sotme në ambientet e Bllokut të Sigurisë nga Alban Dokushi, drejtori juridik i Bashkisë së Tiranës. Dokushi është parë të hyjë në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku Veliaj kaloi natën e parë pas arrestimit.
Në duar, Dokushi mbante disa dokumente dhe librin “The Black Swan” (Mjellma e zezë), të cilat dyshohet se ia ka dorëzuar Veliajt gjatë takimit. Pas qëndrimit për më pak se një orë në ambientet e paraburgimit, ai është larguar pa dhënë asnjë koment.
Më herët, Veliaj ka zhvilluar një takim të shkurtër edhe me avokatin e tij, Henrik Ligori. Ai ndodhet në qeli që prej mesditës së djeshme, pas arrestimit nga agjentët e BKH me urdhër të SPAK.
Nuk dihet ende nëse materiali i dërguar përmban dokumente të rëndësishme apo është thjesht një mesazh simbolik për situatën që po kalon Veliaj.