21-vjetori i tragjedisë së 9 janarit, familjarët kërkojnë drejtësi

Shqipëria kujton sot 21-vjetorin e tragjedisë së 9 janarit, ku 28 persona humbën jetën në një nga ngjarjet më të rënda në historinë e emigracionit shqiptar. Familjarët e viktimave dhe përfaqësues të shoqatës “9 Janari” shprehën revoltën dhe dhimbjen për mungesën e drejtësisë pas më shumë se dy dekadash.

Nikoll Mhilli, kryetari i shoqatës “9 Janari”, deklaroi:
“Shteti vrau fëmijët tanë për t’i treguar Europës se do të ndalojnë emigracionin. Politika shqiptare nuk ka dhënë drejtësi. Ne kemi prova dhe fakte. Pa drejtësi për 9 janarin, nuk mund të ketë drejtësi për Shqipërinë.”

Një tjetër zë i fortë ishte ai i Ndoc Bjeshkës, një familjar i viktimave, i cili shprehu revoltën e tij ndaj sistemit të drejtësisë:
“SPAK nuk ka marrë në dorë çështjen. Jemi shumë të revoltuar. Po ta dija se kush na ka vrarë djalin, do të bëja vetëgjyqësi.”

Dod Mehmeti, avokat i familjes, kërkoi që ngjarja të trajtohet me të njëjtën rëndësi si ngjarjet e tjera të mëdha që kanë tronditur vendin:
“Edhe pas 21 vjetësh, kjo ngjarje shihet si një ngjarje e rastësishme. Duhet të trajtohet si 21 janari. Është një krim shtetëror. Është e provuar që kishte mundësi për t’i shpëtuar, por u neglizhuan. Jeta e një njeriu u vlerësua sa çmimi i një lope.”
Mark Grishaj nje tjeter familjar tha se te gjitha qeverite e kane trajtiar njelloj kete tragjedi

Familjarët theksuan se edhe kërkesat për dëmshpërblim janë zvarritur prej 20 vitesh dhe vetëm tani çështja është në gjyq paraprak. Ata vijojnë të kërkojnë drejtësi për një tragjedi që, sipas tyre, ka mbetur e lënë në harresë nga politika dhe shteti shqiptar.

Ngjarja e 9 janarit mbetet një plagë e hapur për të gjithë Shqipërinë, një kujtesë e dhimbshme e viktimave që kërkon përgjigje dhe drejtësi