Sot, më 21 shkurt, bota feston Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO me synimin për të promovuar ndërgjegjësimin mbi diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe për të nxitur shumëgjuhësinë në të gjitha shoqëritë.
Në një nga dokumentet e saj të vitit 1970, UNESCO thekson rëndësinë e gjuhës amtare, duke theksuar se ajo “shënjon rrugën e qenies njerëzore dhe përmes saj, njeriu hyn në shoqëri, krijon kulturën e grupit që i përket dhe vendos bazat për zhvillimin e aftësive intelektuale”.
Aktualisht, në botë njihen rreth 8,324 gjuhë, shumë prej të cilave janë të rrezikuara nga zhdukja për shkak të globalizimit dhe ndryshimeve shoqërore. Statistikat janë alarmante: çdo dy javë, një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të çmuar kulturore dhe intelektuale.
UNESCO vlerëson se vetëm disa qindra gjuhë janë të përfshira në sistemet arsimore dhe në hapësirën publike, ndërsa më pak se njëqind përdoren në mënyrë aktive në botën dixhitale.
Sigurimi që arsimi të mbështesë të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare është thelbësor për përmirësimin e rezultateve të të nxënit. Studimet tregojnë se nxënësit që mësojnë në një gjuhë që kuptojnë plotësisht shfaqin aftësi më të mira të të kuptuarit, angazhimit dhe të menduarit kritik.
Kjo ditë është një thirrje globale për të mbrojtur dhe promovuar gjuhët amtare, duke ruajtur kështu një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor dhe trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit.