“21 janari”, Dumani: Do ta hetojmë, zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK do të nisë menjëherë hetimet për 21 Janarin. Lajmin e ka konfirmuar vetë kreu i SPAK Altin Dumani, i cili tha se vendimi do të zbatohet ndërsa foli edhe për koordinime mes institucioneve për të hetuar. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, kërkohet hetimi për Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendi si urdhërues të “21 janarit”. Në lidhje me hetimet për aferën e privatizimit të ish-klubit ‘Partizani’, Dumani tha se janë bërë hetime pasurore për Sali Berishën

‘Janë bërë hetimet pasurore për Berishën.’- mësohet të ketë thënë Dumani. Mbi dosjen për kompleksin “Partizani” Dumani tha se ajo do të dërgohet në gjykatë sapo të përfundojnë hetimet.“Janë grumbulluar të gjitha provat dhe ajo qe dihet është që është çështje nën hetim”, u shpreh ai. Kreu i SPAK Altin Dumani, në një takim pa kamera me gazetarët, tregoi se sa persona të hetuar nga Prokuroria e Posaçme dyshohet se gjenden në Dubai.
Dumani zbulon se SPAK ka nën hetim shtatë persona që dyshohet se ndodhen atje, por nuk zbuloi emra konkretë, duke mos penguar kështu hetimin. Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur në lidhje me skemat e mashtrimit me mikro kreditë, gjatë një takimi që ka zhvilluar me gazetarët. Dumani bëri me dije se po bëhet një hetim për një objekt konkret.

Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi vetëm një hetim për një objekt konkret. Nuk bëj komente. Realisht na vjen keq për qytetarët që përplasen ne dyert tona dhe për ata persona që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi para dyerve të SPAK. Ka kërkesa të shumta nga qytetarë, ligji na e ka përcaktuar qartë.’- tha Dumani.