“2025, viti i fitores së opozitës”- Sali Berisha: Programi që i paraqesim shqiptarëve i jep përgjigje emergjente situatës së varfërisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se viti 2025 do të jetë viti i fitores së opozitës. Nga takimi me degën 7 në Tiranë, ish kryeministri tha se PD ka mbrojtur interesin kombëtar dhe pasuritë kombëtare.
Sipas tij, programi dhe projekti që ata i paraqesin shqiptarëve për zgjedhjet e 11 majit, i jep përgjigje urgjente situatës së varfërisë ku ndodhen qytetarët.
“Sot para cdo shqiptari ne paraqitemi avoketër të interesave të tij. Ne kemi mbrojtur interesin kombëtar që është interesi i parë i çdo njeriu të qytetëruar. Ne kemi bërë gjithçka për të mbrojtur pasuritë nga një lukuni, që i shpërndan midis klaneve të vetë.
Ne po paraqesim para shqiptarëve një program dhe projekt, i cili i jep përgjigje emergjente kësaj situate varfërie të frikshme, e cila largon shqiptarët çdo ditë.
Këto janë faktorët që shumë njerëz duan ta quajnë vitin 2024, si vitin e opozitës, por ne preferojmë të quajnë vitin 2025, si vitin e fitores tonë”, tha Berisha.
Më tej ish kryeministri u shpreh se përballë opozita ka një ngrehinë të kalbur.
“Kemi një regjim të kalbur nga koka tek këmbët. Ato që ju dëgjoni këto ditë, për kryevjedhësin e kryeqytetit ato janë realitet po kaq i trishte për organizatën kriminale që quhet qeveri”, tha Berisha.