20 milionë euro nga qeveria për fermerët – miratohen 9 skema mbështetëse për bujqësinë 2025-2027
Qeveria shqiptare ka akorduar 20 milionë euro në formë grantesh për të mbështetur fermerët në kuadër të programit për bujqësinë 2025-2027. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave në datën 2 korrik, duke formalizuar 9 skema mbështetëse, të cilat synojnë zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Drejtori i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Vlorë, Adila Kojdheli, ka konfirmuar se kjo mbështetje vjen menjëherë pas skemave të aplikuara në muajt shkurt dhe mars, si pjesë e një strategjie afatgjatë për të fuqizuar bujqësinë dhe agropërpunimin.
Skemat mbështetëse përfshijnë:
-Ndërtimin e serave
-Mbjelljet e reja
-Investime në infrastrukturën bujqësore
-Mbështetje për blektorinë
-Mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve
-Fuqizimin e kooperativave bujqësore
-Zhvillimin e teknologjive të reja bujqësore, etj.
Sipas Kojdhelit, për të përfituar nga këto skema kërkohet një sërë dokumentacionesh, si:
-Certifikata e pronësisë ose e tokës bujqësore
-Projekt propozime të detajuara
-Dëshmi të kapacitetit teknik dhe financiar
-Përparësi do të kenë të rinjtë, duke qenë se mosha është një nga kriteret bazë për aplikim.
Aplikimet për këto fonde do të hapen së shpejti, ndërkohë që institucionet janë në gadishmëri për të ndihmuar fermerët me informacion dhe orientim për përgatitjen e dokumentacionit.